Kapet i kërkuari për vrasje të dyfishtë
Arrestohet pas 8 vitesh një i shumëkërkuar, i dënuar me 25 vjet për vrasje të dyfishtë. 50-vjeçari Osman Krasniqi u arrestua sot në orët e para të mëngjesit në periferi të Tiranës. Operacioni për kapjen e Krasniqit nisi një ditë më parë në Elbasan. Gjatë tentativës për t’u arratisur, 50 vjeçari Krasniqi, kishte thyer një nga postblloqet e policisë në Sauk, vendi ku është diktuar nga policia. Krasniqi akuzohet për vrasjen e Dashamir Kanellari e Tahir Mysliaga në vitin 2001 në qytetin e Elbasanit. Vrasjet ndodhën në lagjen “Skënderbej” ku dëshmitarët ishin të shumtë. Dënimi i tij nga Gjykata e Elbasanit u dha në mungesë të të dënuarit, i cili figuronte në kërkim ndërkombëtar.