E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 0,5 kg drogë, vihet në pranga

DURRËS/ Policia ka arrestuar 34-vjeçarin Arjan Sallaku që kishte me vete kanabis sativa

DURRËS - Arrestohet në orët e paradites së të dielës 34-vjeçari Arjan Sallaku me 459,35 gramë kanabis sativa.


I prangosuri është banor i qytezës së Manzës dhe, sipas të dhënave të para, këtë sasi bimësh të dyshuara si narkotike ai e sillte për ta tregtuar në qytetin e Durrësit. Në momentin e arrestimit ai ndodhej në një furgon që bënte linjën e transportit të udhëtarëve nga qyteza e Manzës për në Durrës.

Forcat e policisë e kanë ndaluar furgonin dhe gjatë kontrollit që kanë ushtruar në të kanë gjetur se Arjan Sallaku kishte të fshehur në trup një sasi bimësh të dyshuar si kanabis sativa.

Policia kishte pasur të dhëna nga agjentët e antidrogës për një person të dyshuar për tregtimin e kësaj bime që kultivohet tashmë edhe në zonat e pyllëzuara të Manzës dhe të Ishmit. E diela ishte dita që 34-vjeçari Sallaku kishte përzgjedhur për të dërguar në Durrës këtë sasi droge, të cilin kishte pasur shpresë që ta tregtonte.


Herët në mëngjes ai ka marrë rrugën për në qytet, ashtu si shumë të tjerë që nisen të dielave për të kryer punët e tregut. Ka zënë vend në sediljen e një furgoni që e kryente çdo ditë këtë linjë transporti udhëtarësh dhe ka udhëtuar rreth gjysmë ore në qetësi.

Pasi ka hyrë në qytetin e Durrësit në afërsi të vendit ku ishte edhe stacioni i ndalimit të furgonit, mjeti është ndaluar nga policia nën pretekstin e një kontrolli rutinë dhe pasi janë pyetur udhëtarët për identitetin e tyre është ushtruar kontroll edhe mbi 34-vjeçarin.

Policia ka deklaruar se gjatë këtij kontrolli atij iu gjetën të fshehura 459,35 gramë drogë e dyshuar si e llojit kanabis sativa. Pas kësaj Arjan Sallaku është arrestuar menjëherë dhe është dërguar në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Durrësit.

Ndërkohë që inspektorët e antidrogës po përpiqen që të vërtetojnë origjinën e materialit narkotik. Në afërsi të kësaj zone janë gjetur disa herë sasi të konsiderueshme kanabisi të mbjella në zonat e fshehura në pyll e që kanë rezultuar pa pronar. 34-vjeçarit Sallaku i duhet të shpjegojë para hetuesve dhe oficerëve të policisë gjyqësore nëse e ka kultivuar vetë apo e ka blerë dhe se kujt do t'ia shiste këtë sasi droge.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›