Italiani i dënuar me 8 vjet burg kërkon të transferohet në Itali
TIRANË- Prospero Milione, italiani i dënuar me 8 vjet heqje lirie për "prodhim, shitje të narkotikëve" dhe "armëmbajtje pa leje" kërkon transferimin e tij në Itali. Kërkesa është depozituar në Gjykatën e Faktit të Tiranës, ku po shqyrtohet nga gjyqtari Altin Abdiu, i cili në seancën e fundit gjyqësore kërkoi edhe praninë e italianit Milione për të dhënë pëlqimin me gojë për këtë transferim, në mënyrë që më pas të merret edhe një vendim për pranimin ose jo të kërkesës. Ndërkohë, avokatja e të dënuarit italian po kërkon nga institucionet shqiptare rikthimin e makinës së klientit të saj.
Ky automjet, tip "Tojota" është sekuestruar nga uniformat blu që më 27 mars 2006, ditë në në cilën Prospero Milione u vu në pranga pasi u kap me 3 kilogramë heroinë. Bashkë me të u arrestuan edhe tre shtetas shqiptarë. Prangosja e tyre u bë nga policia e Fierit gjatë operacionit të koduar "Mbikalimi".
Në këtë ditë, në dy automjetet me të cilat udhëtonin katër personat, njëra tip "BMV" dhe tjetra tip "Toyota", u gjet e fshehur lënda narkotike heroinë, e cila ishte e ndarë në 6 pako. Po atë ditë të arrestuarve iu janë sekuestruar edhe 4 aparatë celularë dhe dy makinat, ku makina e tipit "Toyota" rezulton e zhdukur që nga ajo ditë për policinë, prokurorinë dhe gjykatën, e cila nuk është shprehur as në vendim për fatin e makinës së italianit Milione që kërkon të transferohet në Itali, ku i banon bashkëshortja shqiptare.