E Diel, 1 Nëntor 2026

Pulizo, i arrestuar në Kroaci, në kërkim në Itali

GOMONIA/ Bëhet e ditur se 43-vjeçari ka qenë në kërkim nga Interpoli çka po vonon dhe kthimin e tij në Shqipëri

TIRANË - Romeo Pulizo është në kërkim nga shteti italian, ndërkohë që për këtë arsye ai vazhdon të mbahet në gjendje arresti nga shteti kroat, ku edhe ndodhet. Burime të policisë bëjnë të ditur se pas ngjarjes ku humbën jetën dy persona dhe i vetmi i mbijetuar ishte pikërisht 43-vjeçari Pulizo, i cili u gjet në brigjet kroate në gjendje të rëndë për jetën, nga ana e shtetit shqiptar u komunikua për kthimin e tij në Shqipëri.

Sipas burimeve zyrtare të bluve, Interpoli shqiptar ka komunikuar me atë kroat lidhur me Pulizon, por nuk ka marrë një përgjigje për të, ndërkohë që nga ana tjetër konfirmohet se Romeo Pulizo ndodhet në gjendje arresti në Dubrovnik të Kroacisë, çka lë të kuptohet se ka një problem me "dokumentacionin" e tij. Megjithëse zyrtarët nuk pranojnë të japin më tepër të dhëna lidhur me faktin nëse 43-vjeçari i cili shpëtoi nga kthetrat e vdekjes është në kërkim apo jo nga pala italiane, burime jozyrtare shprehen se ky është një fakt real, çka provohet edhe me heshtjen.


Hetimet


Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth një muaj më parë, ku Romeo Pulizo bashkë me dy vëllezërit Jani e Spiro Golaj, të tre nga Vlora, u deklaruan të humbur, policia nisi të kontrollojë banesat përkatëse të tre shtetasve.

Dyshimet e policisë se ata nuk ishin nisur thjesht për të peshkuar, u pasuan edhe nga hetimet e prokurorisë së Vlorës, që kërkoi tabulatet e telefonit të Romeo Pulizos, përgjigjja për të cilat ka mbërritur rreth dy javë më parë në këtë qytet.


Megjithatë, deri më tani, thjesht është pohuar nën zë se personi i vetëm që shpëtoi nga mbytja, mund të jetë i përfshirë në ndonjë trafik të paligjshëm, por nga të gjitha palët vazhdon të heshtet. Nga ana e shefit të policisë së Vlorës, e vetmja përgjigje ndaj gazetarëve është se po interesohen për shëndetin e të sëmurit dhe jo më tepër. Ndërkaq, familjarët e Romeo Pulizos nuk kanë pranuar t'u përgjigjen interesit të mediave nëse kanë pasur dijeni se i afërmi i tyre është në kërkim, ndërkohë që, nga ana tjetër, ende nuk kanë mundur të flasin me kryefamiljarin e tyre.


Ngjarja


Tri javë më parë, rreth orës 08:00 të mëngjesit, bashkëshortja e Romeo Pulizos kërkoi ndihmë në kapitenerinë e Vlorës për shkak se burri i saj, si dhe dy persona të tjerë, të cilët, sipas saj, ishin nisur për të peshkuar rreth dy ditë më parë, ishin larguar shumë dhe tashmë kishin mbetur në mëshirë të dallgëve pa ditur se ku ishin. Si rrjedhojë, u aktivizua policia bregdetare shqiptare, e cila në bisedë me Pulizon zbuloi se ata ndodheshin në ujërat e Malit të Zi.


Kështu, edhe policia malaziase iu bashkua kërkimit dhe një ditë më pas, edhe ajo kroate. I pari që u gjet, ishte Romeo Pulizo, i cili kishte arritur gjallë në brigjet e një ishulli kroat, e më pas u dërgua në Dubrovnik për t'u kuruar. Më pas u gjet trupi i Jani Golajt, i cili u transportua për në Vlorë, pas identifikimit të kryer nga vëllai. Personi i tretë, Spiro Golaj, ende nuk është gjetur, ndërsa familjarët në thirrjet e tyre për kërkim, janë shprehur se duan trupin e tij.


Dyshimet për hetimin e Pulizos


Ndërkohë, bëhet e ditur se për Pulizon vazhdojnë hetimet nga pala shqiptare, pavarësisht kërkesës së palës italiane, kërkesë e cila mësohet të ketë mbërritur edhe në Interpolin shqiptar.


Ndërkohë që akuzohet në shtetin fqinj për trafik ndërkombëtar droge, duket se e njëjta akuzë, pas përfundimit të hetimeve mund të ngrihet edhe nga prokuroria shqiptare. Kjo për faktin se që në fillim u dyshua se "peshkimi" i Pulizos nuk ishte i tillë. Koha e gjatë për të kërkuar ndihmë nga mbytja, nisja në një orë pasdite dhe mot jo të mirë, përfundimi i gomones në Kroaci, fakti që gomonia nuk arrinte që të zbulohej nga radarët e policisë janë vetëm disa nga dyshimet e ngritura nga ana e hetuesve dhe që kanë çuar në vazhdimin e hetimeve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›