Tiranë, dyfishohen patrullat e policisë në rrugët e kryeqytetit
Numri i patrullave të policisë në rrugët e kryeqytetit do të dyfishohet, duke shtuar sigurinë e çdo banori të tij. Sipas policisë, dyfishimi i patrullave të policisë është pjesë e një plani të posaçëm masash, i cili ka si qëllim goditjen e elementëve me tendencë kriminale. Disa ditë më parë, Patrullës së Përgjithshme të Policisë iu shtuan edhe 105 inspektorë të rinj, të cilët u emëruan në detyrë dhe do të jenë në gatishmëri për të ndihmuar komunitetin, në mënyrë që të ndihet më i sigurt. Këto emërime u bënë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi. Pas emërimit në detyrë të inspektorëve të rinj, policia e ka rritur numrin e patrullave në lagjet dhe rrugët e Tiranës, të cilët kanë si qëllim kryesor të parandalojnë krimin ndaj pronës. Vjedhjet e shumta, kryesisht të sendeve personale, janë bërë shkak për një vendin të tillë, pas një sërë denoncimesh që janë bërë nga qytetarët e Tiranës. Qëllimi i këtyre patrullave është që t’i vijë sa më shpejt në ndihmë komunitetit. Sipas policisë, rezultatet e deritanishme të patrullave paraqiten mjaft pozitive.