E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shqiptare, hetime për aktivitetin e Romeo Pulizios



Policia shqiptare po heton në lidhje me aktivitetin e Romeo Pulizios, të mbijetuarit të vetëm të gomones me tre persona, që humbi në datën 20 janar në brigjet kroate. Ky person është shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, si edhe pjesëmarrje në organizatat kriminale. Sipas burimeve nga policia e qytetit, kishte pasur dyshime se dalja e 43-vjeçarit në det dhe dy vëllezërve Golaj, ku njëri prej tyre u gjet i vdekur, Jani, ndërsa tjetrit ende nuk i është gjetur trupi, nuk ishte për peshkim, por për trafik të lëndëve narkotike. Nga hetimet paraprake, janë marrë në pyetje rreth 40 persona nga agjentët e qytetit bregdetar, mes të cilëve familjarë të Pulizios, shokë të tij dhe të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë aktivitet. I mbijetuari i vetëm ndodhet në Kroaci, nga ku ende nuk është përcaktuar e ardhmja e tij. Drejtësia italiane kishte disa kohë që e kërkonte, ndërkohë që tani ka nisur procedurat, për të bërë të mundur transferimin e tij në Itali. Megjithatë, do të jetë gjykata shqiptare, ajo që do të japë lejen e ekstradimit për të. Gjykata e Milanos kishte dhënë masë arresti me burg për Pulizion disa vjet më parë dhe gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka qenë në kërkim.

Ndërkohë që shteti italian ka filluar procedurat për ekstradimin e tij për qëllime gjykimi dhe ka përpiluar dokumentacionin e plotë për Pulizion. Por për të marrë një përgjigje përfundimtare në lidhje me këtë çështje, ata do të duhet të presin derisa të përfundojnë hetimet dhe të merret një vendim konkret nga drejtësia shqiptare. Vetë Pulizio ka deklaruar se ai kishte dalë në det me dy vëllezërit Golaj, me qëllim për të peshkuar. Koha e keqe ka bërë që ata të humbin rrugën dhe të përfundojnë më pas në brigjet kroate. Pulizio kishte kryer më përpara një dënim me katër vjet heqje lirie të dhënë nga gjykata italiane.

Romeo Pulizio u gjet pas katër ditë kërkimesh nga forcat e shpëtimit. Ndërkohë që u gjet trupi i njërit prej vëllezërve Golaj, ndërsa tjetri ende rezulton i zhdukur. I mbijetuari kishte arritur të dilte në tokë në brigjet kroate të bregdetit, në ishullin Mljet. Sipas dëshmive të tij, dallgët kishin përmbytur gomonen, duke i hedhur ata në det dhe duke humbur kështu nga njëri-tjetri. Kur ka marrë veten, Romeo Pulizio ka bërë të ditur për policinë se gomonia është përmbytur nga dallgët. Sipas deklaratës së tij, konfirmohet prania e tre personave në gomone. Pulizio ka thënë se pas përmbytjes, të tre “peshkatarët” kanë rënë në det të hapur, duke humbur nga njëri-tjetri. Ai, duke notuar, ka arritur që të dalë në breg dhe të shpëtojë.

Gomonia me tre shtetas nga Vlora, të cilët mendohet se kishin dalë në det për peshkim, humbi ditën e martë, më 20 janar, pasi u mor nga erërat e forta detare. Ishte Pulizio ai që dha alarmin se gomonia po mbytet dhe forcat e Policisë Detare shqiptare, malazeze dhe kroate u vunë në lëvizje.

Pulizio ndodhet në Dubrovnik të Kroacisë. Policia shqiptare nisi menjëherë pas mbytjes së gomones hetimet në lidhje me aktivitetin e tij në vend, ndërkohë që edhe shteti italian ka nisur nga procedurat për ekstradimin e tij, pasi ky i fundit akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrës në organizatat kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›