E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Londër anëtari i bandës së Tan Kateshit

Arrestohet në Londër shqiptari i shumëkërkuar Ndriçim Sadushi, i akuzuar si anëtar i bandës së Tan Kateshit. Një prej personave më të kërkuar në Britaninë e Madhe dhe Shqipëri ka përfunduar nën pranga ditën e djeshme, njoftonin mediat angleze. Ai sipas tyre fshihej në Britaninë e Madhe duke përdorur gjashtë emra të ndryshëm si identitete të rreme për ti shpëtuar ndjekjes. Sipas Policisë, 41-vjeçari që prej kohës kur ishte shpallur në kërkim, ishte larguar nga Shqipëria ku është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda mes të cilave edhe tri vrasje. Besohet se Sadushi ka hyrë në Angli në vitin 2000, duke arritur që të qëndrojë i pazbuluar në Britani prej 11 vitesh. Policia kishte për Sadushin një foto, e shpërndarë nga Interpoli dhe asgjë më shumë. I kërkuari ishte akuzuar si pjesë e grupit të Tan Kateshit, grup kriminal që terrorizoi shumë qytetarë në vitet 90. Ai ishte i fundit që i kishte shpëtuar arrestimit dhe Scotland Yard e kishte listuar si ndër më të kërkuarit në listën e të huajve me 14 gangsterët më të rrezikshëm. Bazuar në disa të dhëna të marra në rrugë operative, policia zbuloi se shqiptari ishte duke u fshehur në Londër dhe Merseyside dhe përpjekjet për ta kapur rezultuan frytdhënëse. Në lidhje me arrestimin ka folur për median edhe Pëllumb Seferi, kreu i Interpol Tiranës. Ai është shprehur se Sadushi është një prej personave më të kërkuar, që besohet së qëndronte në Britaninë e Madhe. Ai ka drejtuar një grup të dhunshëm, që ka kryer krime serioze në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›