Plagosi gruan, babai kishte dhunuar dhe vajzën
TIRANE – Ramiz Qershori, i arrestuar mbrëmjen e së martës, pasi goditi gruan me sëpatë, duke shkelur edhe urdhrin e mbrojtjes, tri ditë para ngjarjes, kishte rrahur edhe vajzën, duke i dëmtuar krahun. Pas mjekimit në Spitalin Ushtarak, Shqiponja Qershori, nëna e dy vajzave adoleshente, kishte kërkuar që të rikthehej në shtëpinë e saj, tek Kodra e Priftit në Tiranë, pasi kishte frikë të linte vajzat vetëm. Madje tek shtëpia e saj private, mbrapa shkollës Hasan Prishtina, nëna 36-vjeçare na tregoi dje se ende vazhdonte të kishte frikë nga hakmarrja e të shoqit. Ndërsa vajza e saj e madhe, Anxhela, 18 vjeçe, i kishte ende të dukshme shenjat e dhunës së babait të saj, pasi njërën dorë e kishte të fashuar. Ndërsa fqinjët e familjes Qershori na treguan se ngjarja që ndodhi mbrëmjen e së martës, mund të ishte parandaluar nga policia, aq më tepër që Gjykata e Tiranës kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për Shqiponjën. Madje, mbrëmjen e së martës e kanë lajmëruar dy herë policinë, pasi kanë dëgjuar debat të ashpër në banesën e çiftit në prag divorci. Me një vendim të datës 30 mars 2012, Gjykata e Tiranës shqyrtoi materialin e mbërritur nga Komisariati Nr.4, që përmbante një kërkesë-padi, me paditëse Shqiponja Qershori dhe të paditur Ramiz Qershori dhe me objekt lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Gjatë zhvillimit të seancës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, ishte e pranishme vetëm gruaja 36-vjeçare, ndërsa i shoqi i saj nuk ishte paraqitur, edhe pse ishte njoftuar disa herë. Gjatë seancës Shqiponja Qershori u shpreh Gjendja vazhdon shumë e acaruar. Mbrëmë (më 29 mars 2012) më ka thënë: Do të vras vëllezërit. Do të vras edhe ty.