Kapet për vrasje pronari i linjës së autobusëve
Konflikti në Tiranë, Eduard Dushku kërkohej për vrasjen e Avdulla Vrapit
Një person i kërkuar për vrasje në shtator 2011, u arrestua pasditen e djeshme nga Policia e Tiranës. Burimet zyrtare thanë se policia arrestoi një person të shumëkërkuar, i cili u kap me një armë pa leje pranë ish-Profarmës. Eduard Dushku, pronar i një linje autobusësh, është vënë dje në pranga në afërsi të ish-Profarmës në Tiranë. Burimet zyrtare thanë se ndaj tij gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Arrestimi i të kërkuarit u komunikua mbrëmjen e djeshme gjatë një konference për shtyp në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Eduard Dushku, sipas Prokurorisë, është autor i vrasjes së Avdulla Vrapit në gusht të vitit 2011. Sipas kërkesës për gjykim, vrasja ka ndodhur pas një zënke mes Albert Vrapit, djalit të viktimës, dhe Besnik Tresës, shofer autobusi, ku pronar i mjetit ishte Eduard Dushku. Sherri fillimisht ka nisur pas gërvishtjes së makinës së Albert Vrapit nga shoferi i autobusit, që më pas degradoi deri në vrasje. Gjatë një zënke me Albert Vrapin, në tentativë për t’u mbrojtur, Dushku ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. Për pasojë gjeti vdekjen Abdulla Vrapi, i cili kur ka parë që është drejtuar arma, i ka dalë para të birit duke i pritur vetë plumbat. Miku i të dyshuarit Besnik Tresa ndodhej pranë vendit të ngjarjes e menjëherë pasi u krye krimi, e ndihmoi Dushkun duke u larguar nga vendngjarja, pranë Sanatoriumit në Tiranë dhe duke e strehuar atë në një hotel në Rrugën e Elbasanit. Tresa u arrestua menjëherë pas ngjarjes, bashkë me armën e krimit, të cilën ia kishte marrë autorit. Ndërsa autori, arriti të arratisej duke u shpallur në kërkim nga policia, megjithëse u arrit të provohej autorësia e tij. Ngjarja për të cilën akuzohet Eduard Dushku ka ndodhur më 22 gusht 2011, kur Besnik Tresa, shofer i linjës Sauk-Shkolla e Baletit, gjatë kohës që po lëvizte në drejtim të një kompleksi, në një pjesë të ngushtë të rrugës është fërkuar me pasqyrën e mjetit tip “Benz 240″, e drejtuar nga Albert Vrapi. Tresa, pas incidentit, ka lajmëruar pronarin Dushku, duke e vënë në dijeni. Kur Albert Vrapi ka nisur të debatojë me punonjësit Tresa, Dushku ka ndërhyrë duke i kërkuar Albert Vrapit të largohej dhe të mos krijonte probleme. Debati ka precipituar në veprime të dhunshme, ku të dyja palët kanë filluar të goditen me sende të forta. Gjatë përleshjes Dushku ka nxjerrë nga çanta e tij një pistoletë pa leje dhe ka qëlluar disa herë me armën e zjarrit, duke vrarë Abdulla Vrapin, babanë e Albertit, i cili ishte përfshirë në konflikt së bashku me persona të tjerë me lidhje fisnore me të.
ETLEVA DELIA