Tragjedia e Otrantos, vijnë nga Italia pjesë të Kateri i Radës

Familjarë të viktimave me pjesët e mbetura të tragetit, që u sollën dje nga Italia
Familjarët kërkuan anijen në përkujtim të viktimave.
VLORE- Pas 15 vitesh nga tragjedia e Otrantos, sillen në Vlorë disa pjesë simbolike të anijes Kateri i Radës. Busulla dhe mekanizmi tregues i lëvizjeve e drejtimit të anijes u vendosën për disa minuta para universitetit Ismail Qemali. Përfaqësuesit e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Otrantos u shprehën se në vijim do të realizojnë projektin dhe do ti drejtohen Bashkisë për të bërë reale vendosjen e pjesëve simbolike të anijes, në ambient të hapur apo në ndonjë muze. Kjo me qëllim që pjesët e mbetura të anijes të kthehen në simbolikë në përkujtim të viktimave të tragjedisë. Familjarët kanë kërkuar gjatë të gjithë këtyre viteve që anija të sillej në Vlorë dhe të mbahej si muze. Por kjo nuk u bë e mundur, pasi pjesa e sipërme e anijes është vendosur si memorial në Itali. Në këto kushte, familjarët kërkuan pjesën e poshtme të anijes, por as kjo nuk u realizua, ndërsa morën si përgjigje se kjo pjesë ishte shkrirë. Më pas, një grup teatral në Itali është shprehur se pjesën e poshtme të anijes e kanë ata për realizimin e një teatri dhe më pas mund tia kthejnë atë familjarëve të të mbyturve. Dje, me rastin e 15- vjetorit të tragjedisë, merrnin pjesë familjarët e viktimave, por edhe deputetë e përfaqësues vendorë të Vlorës. Fillimisht u zhvilluan homazhe dhe u vendosën tufa me lule në memorialin e ngritur në kujtim të viktimave, në parcelën e veçantë ku prehen trupat e tyre, në varrezat publike të qytetit të Vlorës. Më pas, familjarë dhe qytetarë qëndruan në heshtje për disa minuta në sheshin përpara godinës së Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në këtë qytet, në shenjë proteste për atë që ata e cilësuan drejtësi e munguar e shtetit italian.
Pushime Çala, kryetare e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Otrantos, tha se çdo ngjarje e ka edhe një fajtor, aq më tepër një tragjedi e përmasave të tilla sikundër ajo e Otrantos, shkaktarët e së cilës nuk janë gjetur ende. Ne theksojmë edhe një herë dhe kërkojmë drejtësinë e munguar nga ana e shtetit italian, kërkojmë shpërblim të drejtë dhe të barabartë për të gjitha viktimat, sepse çdo dëmtim ka një zhdëmtim. Në ceremoninë e djeshme ishin të pranishëm Dashamir Tahiri, deputet i PDIU-së, Kreshink Cipi deputet i PD-së, kryetari i PD-së Ardian Kollozi, si dhe përfaqësues të Bashkisë së Vlorës e të Prefekturës.
TRAGJEDIA
Natën e 28 marsit të vitit 1997, gjatë udhëtimit për në Itali me anijen Kateri i Radës, humbën jetën 81 persona, mes të cilëve 46 gra e fëmijë, ndërkohë që në bordin e mjetit lundrues ndodheshin 115 persona. Tragjedia ndodhi pas përplasjes me anijen ushtarake italiane, Sibila. Pak muaj pas kësaj ngjarjeje, 57 prej trupave u nxorën nga deti bashkë me anijen, ndërsa 24 të tjerë nuk u gjendën. Në 14 nëntor të vitit 1997, në qytetin e Vlorës u zhvillua ceremonia e varrimit të viktimave. Tragjedia e Otrantos cilësohet ndër më të rëndat që ka ndodhur në këtë hapësirë detare