E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet peshkaqeni i dytë brenda vitit, në Gjirin e Vlorës

Peshkaqenët duket se kanë gjetur "ngrohtësi" në Gjirin e Vlorës.  Pas atij të kapur vetëm pak kohë më parë, një i tillë ka rënë edhe dje në rrjetën e peshkatarëve. Ndonëse me përmasa të mëdha, peshkatarët tregojnë se ai është i padëmshëm për njerëzit. Peshkaqeni është kapur mëngjesin e djeshëm, kur peshkarexha "De Rada" ka dalë si gati çdo ditë për peshkim në gjirin e Vlorës, rreth e rreth ishullit të Sazanit. Në kohën kur peshkarexha ka qenë rreth 15 milje në verilindje të Vlorës, në juglindje të ishullit të Sazanit ka hasur në vështirësi lundrimi. Menjëherë peshkatarët, sipas tregimit të njërit prej tyre, kanë kërkuar të ngrenë rrjetën, por ajo ka qenë shumë më e rëndë se zakonisht. Me vështirësi të mëdha ata kanë mundur të fillojnë ngritjen e saj duke dyshuar se diçka ka ndodhur me të. Gjatë ngritjes së rrjetës, ata kanë parë se kishin kapur një peshkaqen. Njëri prej peshkatarëve tregon se peshkaqeni ka qenë i gjallë, madje edhe gjatë ngritjes së rrjetës vazhdonte të hante peshq. Menjëherë pas kapjes së tij, peshkarexha është kthyer në vendqëndrim, në portin e ri në Zvërnec. Aty janë bërë edhe matjet për peshkaqenin. Ai ka qenë 4 metra i gjatë dhe rreth 300 kg. Sytë i kishte ngjyrë gri të errët dhe sipas peshkatarëve nuk është i rrezikshëm për njerëzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›