E Diel, 1 Nëntor 2026

Veglat e tunxhit në kinema Koncert me kolonat zanore të filmave italianë

Stina e IX Koncertore e Klasik, sjell koncertin e kuintetit të tunxhit dhe baterive të Orkestrës  së Toskanës  
Sezoni koncertor i Klasik po zhvillon një aktivitet të ngjeshur artistik në Akademinë e Arteve. Në kuadër të këtyre aktiviteteve në datën 19 mars do të zhvillohet koncerti Veglat e tunxhit në kinema nga Orkestra e Toskanës, me pjesëmarrjen e Andrea DellIra  dhe Donato De  Sena në trombë, Paola Faggi në Korno, Antonio Sicoli në trombon, Riçardo Tarlini në tubë dhe Roberto Bichi në bateri. Aktiviteti organizohet nga Instituti Italian i Kulturës, me rastin e Sezonit të IX Ndërkombëtar të Muzikës Klasike. Kuinteti i tunxhit dhe baterive të ORT  është një bandë e veçantë, e cila bashkon vegla të tilla muzikore si tromba, trombona, korno, tubë dhe bateri, ku bëjnë pjesë muzikantë dhe ekspertë të afirmuar të ardhur nga Orkestra e Toskanës dhe nga Maggio Musicale Fiorentino. Pjesëtarët e ansamblit, të cilët kanë bashkëpunuar me dirigjentët më të mëdhenj duke filluar nga Berio tek Metha e Chung, kanë zhvilluar koncerte të shumta si në Itali ashtu edhe jashtë vendit, duke përcjellë gjithmonë entuziazëm tek publiku. Nga zyra e shtyit pranë Institut Italian të Kulturës bëhet e ditur se në koncertin, që ata do të zhvillojnë në Tiranë, ata do të paraqesin një repertor shumë tërheqës, që do të përçojë tek publiku kolonat e paharruara zanore të filmave, kolona këto të shkruara nga kompozitorët më të mëdhenj si, Morricone, Rota, Williams, Piovani dhe  të përshtatura nga Donato De Sena, trombë e parë e ORT dhe trombëist me famë. Spektakli,i cili do të zhvillohet në skenën e Akademisë së Arteve dhe do të jetë nën regjinë e Angelo Del Rosso. Një regji interesante do të vijë në këtë mbrëmje koncertore, pasi regjisori ka menduar që të paraqesë dhe pjesë nga filmat përkatës të shoqëruar me një sfond muzikor.  Por në kuadër të aktiveve që po zhvillon Klasik ka pasur të ftuar dhe shumë emra të tjerë të talentuar, artistë të huaj shqiptarë por dhe italianë. Ndër artistë shqiptarë përmendim pianistin e talentuar Desar Suljemani i ftuar në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur gjerman Feliks Mendelson Bartold. Koncerti i cili u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte me muzikë dhome nga krijimtaria e këtij kompozitori, i cili sot renditet ndër emrat më të mëdhenj të muzikës klasike. I ftuar në këtë koncert ishte dhe artisti i njohur, violinisti Andreas Reiner. Gjatë aktivitetit të tij kulturor edicioni i Klasik ka ngjitur në skenë dhe emra të tjerë të talentuar artistësh, të cilët janë shpërblyer me duartrokitje në skenën shqiptare për atë që ata i kanë dhënë publikut. Në vijim të koncerteve, tingujt e muzikës napolitane erdhën me koncertin Serenata Napoletana. Koncerti që u zhvillua pranë Akademisë se Arteve në Tirane solli zërin e njohur të këngës napolitane Pietro Quirino, shoqëruar nga Quartetto Calace. Aktiviteti me muzikë napolitane u mbështet dhe  nga Instituti  Italian i Kulturës. Këngëtari Pietro Quirino u shoqërua në kitarë nga Giovanni DellAversana, në mandolinë nga  Michele De Martino dhe Agostino Oliviero dhe në mandolë nga Edoardo Converso. Artistët u prezantuan me një program të rafinuar historik të këngës napoletane, duke kaluar nga muzika klasike në atë  tradicionale etnike e më pas tek këngët e autorëve, përmes zhanrit të ndryshëm të muzikës napoletane. Interpretimit rigoroz linguistik të Tarantella Napoletana, Funiculi funicula, I te vurria vasa, O sole mio, Torna a Surriento, iu bashkua një teatralizim i këndshëm dhe një prekje delikate e elementëve metahistorik të pranishëm në çdo pjesë. Ky grup i jashtëzakonshëm artistësh ka bashkëpunuar me interpretuesit më të mëdhenj të muzikës italiane dhe ndërkombëtare. Me anë të koncertit Serenata Napoletana publikut iu përcoll një itinerar historik mjaft i detajuar i këngës napolitane, i cili ndjek një linjë shumë filozofike. Programi ishte mjaft i artikuluar dhe ekzekutimi ishte i një niveli shumë të lartë. Edhe koncerti i radhës që do të zhvillohet në Akademinë e Arteve premton të sjellë tinguj të magjishëm të muzikës për publikun. Kalendari pesë mujor (janar-maj 2009) i këtij aktiviteti përmban shfaqje të ndryshme të muzikanteve nga shumë vende të botës si: Franca, Italia, Zvicra, Çekia, Gjermania, Shqipëria, Spanja, Rusia, Austria, Hungaria dhe Izraeli. Qëllimi i koncerteve dhe ngjarjeve të mbajtura në kuadrin e sezonit koncertor ndërkombëtar të muzikës Klasik është të promovojë vlerat muzikore interpretuese europiane dhe kombëtar për të krijuar një platformë integruese dhe për të pasuruar jetën artistike dhe kulturore shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›