Korcë, moti i keq nxjerr nga rruga automjetin, vdes pasagjerja
Kushtet e vështira të motit në juglindje shkaktojnë aksidentin e parë tragjik automobilistik, me një të vdekur dhe një të plagosur. Një mjet tip fugon me targa të Korçës ka dalë nga rruga si rezultat i dëborës, ndërsa ka mbetur e vdekur në vend një grua 45- vjeçare, teksa bashkëshorti i saj është plagosur lehtë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:00 në aksin Gorricë-Liqenas në afërsi të Qafës së Bigllës ku fugoni me targa të Korçës është përmbushur pasi ka dalë nga rruga. Mjeti drejtohej nga shtetasi Agim Spaho, i cili ishte së bashku me bashkëshorten që ndodhej në vendin e parë. Gjatë daljes së mjetit nga rruga, ka mbetur e vdekur në vend 45- vjeçarja Yllka Spaho, ndërkohë që drejtuesi i mjetit ka marrë disa dëmtime të lehta. Policia, e cila ka shkuar me vështirësi në vendin e ngjarjes për shkak të terrenit të thyer malor ka nisur hetimet për aksidentin e rëndë me pasojë vdekjen e një personi. Ndaj drejtuesit të mjetit, 49- vjeçarit Agim Spaho, banor i qytetit të Korçës, policia ka vendosur prangat për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e një personi, në rastin konkret bashkëshortja e të arrestuarit të policisë.