Kontrolli te Tatim-Taksat shkarkon drejtorët
Një tjetër "tërmet" pas atij natyror të 6 shtatorit të këtij viti, ka rënë këto ditë në Drejtorinë Rajonale Tatimore Dibër, si pasojë e të cilit janë pushuar nga puna katër drejtues të këtij institucioni. Burime që nuk duan të identifikohen nga kjo drejtori, bëjnë me dije për "Shqip" se ka qenë një kontroll i auditit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave Tiranë, që ka çuar në largimin nga puna dhe shërbimi civil të katër drejtuesit e lartë tatimorë të Qarkut Dibër. Mendohet se shkak i këtij kontrolli, janë bërë shifrat e ulëta në realizimin e planit të të ardhurave tatimore në rang qarku. Kështu, gjatë muajit shtator plani i të ardhurave tatimore u realizua në masën rreth 83%, ku vetëm në rrethin e Bulqizës u shënua shifra më e lartë prej 98%. Sipas këtij kontrolli, të zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, inspektorët e auditit, kanë konstatuar rrjedhje të subjekteve private në shlyerjen e detyrimeve tatimore. Pikërisht shkalla e lartë e evazionit fiskal, të konstatuar nga inspektorët e ardhur nga Tirana, ka qenë ndër shkaqet kryesore që ka çuar në uljen e shifrave të mbledhjes së taksave. Shkeljet në lejimin e evazionit fiskal nga tatimorët e Dibrës edhe pse nuk bëhen publike zyrtarisht, pasi aktualisht administrata ndihet e shokuar nga masat drastike të dhëna për drejtuesit e saj dhe askush nuk dëshiron të flasë, mendohet se janë tejet të rënda. Penalizimit nuk i ka shpëtuar edhe vetë drejtori i përgjithshëm i sapoemëruar në krye të këtij institucioni, Gazmir Zenelhasani, drejtori i kontrollit, Taxhedin Saraçi, drejtori i vlerësimit, Fitim Farruku, si dhe Urim Reçi. Ndërkohë, mësohet se masat e propozuara nga inspektorët e kontrollit të auditit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave Tiranë, janë miratuar nga komisioni i disiplinës së këtij institucioni. Nuk bëhet e qartë nëse subjektet e lëna jashtë skemës së shlyerjes së detyrimeve tatimore, të vërtetuara gjatë kontrollit në qytetin e Peshkopisë, janë të trashëguara apo të krijuar rishtas, kur dihet se ish-drejtori Gazmir Zenelhasani nuk ka vetëm rreth tre muaj që është emëruar në krye të këtij institucioni. Nga burime konfidenciale merret vesh se katër drejtuesit tatimorë të Dibrës, tashmë të larguar nga puna, i kanë konsideruar masat ndëshkimore ndaj tyre, jo vetëm të rënda, por edhe të padrejta, pasi nuk kemi të bëjmë me ulje në detyrë të tyre, por edhe me largim nga shërbimi civil. Lh.