E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhën kryetarin e qarkut, kapen babë e bir

Babë e bir nga fshati Veliqot i Rrethit të Tepelenës janë arrestuar mesnatën duke u gdhirë dita e djeshme, pasi akuzohen si autorë të vjedhjes së kryer në banesën e kryetarit të Qarkut të Gjirokastrës, Arben Çulli, në një pallat në qendër të qytetit të Tepelenës. 46-vjeçari Kaso Zhola dhe i biri i tij 18 vjeç, Zeman Zhola, të dy lindur dhe banues në fshatin Veliqot të Rrethit Tepelenë, janë arrestuar për arsye se sipas provave të policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë futur në shtëpinë e Arben Çullit, në lagjen "15 Shtatori" të Tepelenës, më datë 18 qershor të këtij viti, dhe kanë vjedhur shumën prej 1.5 milionë lekësh të reja dhe katër aparate celularë.
Burime të policisë bënë të ditur se zbulimi i kësaj vjedhjeje u bë i mundur pas një pune të gjatë operative hetimore të bërë nga agjentët dhe specialistët e seksionit të ndjekjes së krimeve ndaj pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Sipas këtij burimi, policia, gjatë më shumë se 3 muajve, ka mundur të bëjë grumbullimin e informacionit të marrë në rrugë operative, gjurmimin e dy të dyshuarve, duke siguruar prova dhe fakte dhe më pas, mbi bazën e këtyre provave, agjentët kanë bërë dokumentimin ligjor të kësaj vepre penale.
Pas bindjes së policisë, se autorë të vjedhjes me thyerje të banesës së kryetarit të qarkut Arben Çulli ishin dy shtetasit e mësipërm, babë e bir, Kaso dhe Zeman Zhola, janë kapur në banesën e tyre në fshatin Veliqot nga forca të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Tepelenës. Gjatë ndalimit është bërë edhe kontrolli i banesës dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy aparate celularë dhe një kartë SIM, e cila ishte përdorur në dy prej aparateve të vjedhur.
Në lidhje me këtë ngjarje u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Vjedhjes kryer në bashkëpunim", parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›