E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet superhajduti nga Vlora, vidhte në Tiranë

Rritja e rasteve të vjedhjeve të varëseve në rrugë ka vendosur në nivel maksimal gatishmërie Policinë e Tiranës, e cila prej gati një muaj është duke luftuar këtë "krim të vogël", i cili në jo pak raste ka sjellë pasoja të rënda. Gjatë ditës së djeshme, blutë e kryeqytetit kanë arritur të vënë në pranga një 30-vjeçar, i dyshuar për një sërë vjedhjesh në Tiranë, Vlorë e Fier. Burime zyrtare bëjnë të ditur se i arrestuari është Bledar Selmanaj. 

Ndërkaq, bashkë me të, në pranga është vënë dhe Fredi Xherahu, pronari i një argjendarie në Tiranë, ku dyshohet se 30-vjeçari shiste sendet e vjedhura.
 ARRESTIMI
Kanë qenë strukturat e Komisariatit Nr.1, të cilat kanë bërë të mundur arrestimin e 30-vjeçarit vlonjat, në momentin që ky i fundit ka qenë duke tentuar për të grabitur një banesë në rrugën "Fuat Toptani", në Tiranë. Ndërkaq, me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Tiranës bënë të ditur se nga hetimet e kryera, rezulton se Bledar Selmanaj është autor dhe i së paku 4 vjedhjeve banesash të regjistruara gjatë muajve korrik-gusht, ndërsa dyshohet se ky numër mund të jetë disa herë më i madh. Në të gjitha rastet, Selmanaj ka vjedhur në banesë bizhuteri dhe elektro-shtëpiake. 

Gjithashtu, mësohet se Selmanaj ka qenë i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Fierit më datë 27.08.2012 për veprën penale të "Vjedhjes" pasi në lagjen "Afrim", me anë të mashtrimit ka vjedhur mjetin "Renault" me targa AA 286 EL, në pronësi të G.Ç., 58 vjeç, banues në Fier. Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke punuar për të dokumentuar të gjitha vjedhjet e kryera nga 30-vjeçari Bledar Selmanaj.
ARGJENDARI
Nga hetimet e kryera është arritur të zbulohet dhe një bashkëpunëtor i Selmanajt, tek i cili 30-vjeçari shiste sendet me vlerë. Më konkretisht,
mesditën e djeshme është ndaluar Fredi Xherahu, pronarin i një argjendarie të ndodhur në "Rrugën e Durrësit". Gjatë kontrollit në argjendari, forcat e policisë kanë arritur të gjejnë një sasi të madhe floriri pa dokumentacionin përkatës, duke ngritur dyshimet se kjo sasi floriri mund të jetë sjellë nga 30-vjeçari i prangosur. Gjithashtu, grupi hetimor është duke verifikuar dhe disa pika të shitjes së elektro- shtëpiakeve, ku dyshohet se Selmanaj ka shitur sendet e vjedhura. Ndërkaq, materialet hetimore në ngarkim të 30-vjeçarit i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›