Zjarret, qytetarët aksion në Dajt: Qeveria inegzistente, të forcojë masat
Tiranë- Situata problematike e zjarreve në vend, por edhe neglizhenca e qeverisë ka detyruar një grup qytetarësh të ndërmarrin një aksion në malin e Dajtit për shuarjen e flakëve.
Përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë dhe njerës të thjeshtë i kanë bërë thirrje qeverisë që të mos i neglizhojë këto raste por të ndërmarrë masa efektive.
“Për ata banorë të papërgjegjshëm që i presin pyjet dhe drurët, për ata kryekomunarë që e ndajnë pyllin si Mark Shalgjati, për këtë Ministri Mjedisi, që ende nuk po zgjohet nga gjumi, por edhe për ata qeveri që nuk e ka situatën nën kontroll, por edhe për ata zyrtarë që flasin me kravatë që nga zyra”,- tha Sazan Guri, njëri prej aktivistëve mjedisorë.
Sipas tij duhet që ligji për piromanët të ashpërsohet, kjo sepse shumica e zjarreve në vend janë vënë nga dora e njeriut.
“Eshtë e domosdoshme krijimi i një Gjykate të mirëfilltë mjedisore, sepse krime të tilla quhen kundravajte administrative, herë-herë kundravajtje penale dhe nuk ka krime të pastra mjedisore penale në Shqipëri. Ne dalim shumë herë më mirë me krimet mjedisore se Gjermania”,- vijoi ai.
Por gjatë tentativave për shurjen e flakëve Sazan Guri ka marrë disa plagë të lehta dhe më pas është dërguar në spital, ku ndodhet në gjendje të mirb shëndetësore.
Situata në malin e Dajtit duket se është përmirësuar, por ende ka vatrat zjarri. Pas tre ditësh zjarre në pjesën e pasme të malit të Dajtit, flakët gjatë natës së të hënës kanë kaluar majën e malit dhe në mëngjesin e së martës filluan të zbresin drejt pjesës që shikon nga kryeqyteti.