Kapet vrasësi serial, Çaushaj: Gushi, vepronte i vetëm

Dy ditë pas vrasjes së arkëtares Leonora Kaloçi dhe plagosjes së rojes së bankës Skënder Elmazi policia arrestoi në banesën ku jetonte me qera në kryeqytet 44- vjeçarin, Viktor Gushi nga Patosi.
Në një konferencë për shtyp drejtori i policisë së Tiranës Bernard Çaushaj bëri me dije edhe detajet e operacionit për kapjen e tij. Sipas tij në sajë të operacionit të koduar “Banka” është bërë i mundur kapja e autorit të dyshuar të 16 ngjarjeve kriminale të ndodhura në periudhën kohore 2008-2012.
Sipas tij, Gushi ka pranuar autorësinë e të gjitha krimeve për të cilat akuzohet: “ishte shumë i qartë dhe i kthjellët, i shpjegonte në mënyrë kronologjike”. Drejtori i Policisë shpjegoi gjithashtu se 44-vjeçari Gushi ka vepruar gjithmonë i vetëm dhe ky fakt e ka ndihmuar në jetëgjatësinë krimeve të tij.
Nga 16 ngjarjet për të cilat akuzohet, 4 janë grabitje apo tentativa grabitjesh në filiale të Raiffaisen Bank. Ai gjithashtu ka sulmuar disa pika të grumbullimit të lekëve të faturave të dritave dhe ujit, një filial të Postës te Medreseja në Tiranë në vitin 2010 ku pati dhe një të plagosur dhe është autori i vrasjes së argjendarit Sinanaj disa muaj më parë.
Ai u kap në flagrancë në shtëpinë e tij falë një operacioni të koduar “Banka”, ku iu gjet edhe arma me të cilën i mori jetën arkëtares së NBG Bank dhe argjendarit Sinanaj: një pistoletë TT, si dhe një krehër me 7 fisheke, kaliber 7.62 mm, maska, doreza, veshja që ka përdorur në ngarjen e fundit
Çaushaj sqaroi gjithashtu se Gushi ishte frekuentues i rregullt i kazinove dhe lojrave të fatit. Kur mbeste pa lekë, ai përgatiste sulmin e rradhës pasi e studionte për 2-3 muaj atë. Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, Gushi ka pranuar të ketë sulmuar edhe disa banka në Greqi, por “nuk ishte i qartë” për adresat e sakta.