Kapitali i Albpetrol-it 600 milionë USD, do të shitet me gjysmën e vlerës
Kompania e vetme naftënxjerrëse shtetërore Albpetrol, një prej pasurive më të mëdha kombëtare pritet të shitet për gjysmën e totalit të kapitalit të saj, ku përfshihen asetet dhe të ardhurat vjetore. Gazeta Shqip ka siguruar një kopje të pasqyrave financiare të vitit të mbyllur, më 31 dhjetor 2011, ku specifikohen vlerat e veçuara të aseteve dhe të të ardhurave të Albpetrol-it për atë hark kohor. Në pasqyrën, ku evidentohet totali i kapitalit të pasiveve afatshkurtra dhe atyre afatgjata, vlera përfundimtare e tij është 62 miliardë e 455 milionë, 849 mijë dhe 653 lekë të reja, që është e barabartë me rreth 600 milionë dollarë amerikanë. Ndërkaq, nga burime të besueshme pranë Albpetrol-it, por edhe të METE-s, është mësuar se kjo kompani pritet të nxirret në shitje për një vlerë jo më shumë se 300 milionë dollarë. Kjo, për shkak se rreth 95 për qind e aseteve, që ka disponuar më parë Albpetrol-i janë dhënë me koncesion, ndërsa i kanë mbetur në shfrytëzim jo më shumë se 5 për qind e tyre, që ndodhen në një gjendje tejet të amortizuar dhe jashtë standardeve bashkëkohore. Por, ndonëse Albpetrol-it i ka mbetur një hise mjaft e vogël e tortës që zotëronte dikur, sipas pasqyrës financiare të vitit 2011, fitimi neto, që është nxjerrë gjatë 12 muajve nga kjo shoqëri, kap shifrën e 3.4 miliardë lekëve të reja, ose rreth 30 milionë dollarë.