Z.Rama, problemi me trotuarin e Komunës së Parisit, ende pa zgjidhje
Në rrugën “Komuna e Parisit” gjendet një shkollë që mban emrin e nderuar të babait të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Si për ironi të fatit, në të njëjtin oborr, është një ndërtesë problematike për banorët e kësaj zone. Kjo godinë ka lënë vetëm një pëllëmbë trotuar për kalimtarët e zonës dhe disa herë e kemi ngritur këtë shqetësim pa mundur që të stabilizohet kjo gjë kaq shqetësuese.
Duhet ta shikosh që ta besosh. Një nga rrugët më të populluara të Tiranës, ku makinat e këmbësorët nuk reshtin asnjë minutë të ditës, në njërën pjesë të saj, ka vetëm 2 pëllëmbë trotuar. Godina për të cilën flasim ka dalë jashtë vijës së ndërtimit të pallateve dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kohët e fundit, edhe ato pak centimetra që ka lejuar trotuarin, e ka zënë me një kabinë bankomati, duke na detyruar përfundimisht në këmbësorëve të zbresim në rrugë.
Pse normale është kjo? Mijëra banorë peng të një individi të vetëm? I lutem, kryetares së njësisë 5, zonjës Seitaj, kryetarit të bashkisë , z. Rama dhe deputetes socialiste të zonës, të rregullojnë këtë probleme sepse nuk ka mendere ku të rrijë. Zotëria në fjalë dhe gjithë të tjerët që kanë godina mbi trotuare, le të spostohen një metër më tutje në oborr se është gjynah nga perëndia, të kalojnë pleq e gra me fëmijë me një këmbë në rrugën e makinave dhe me një këmbë në trotuar. Të mos bëhemi kaq cingunë dhe të pamëshirë.