Kapiti: Vrasjen e kreva për vetëmbrojtje
PRONAT/ Gani Kapiti u vetëdorëzua në polici në orët e vona të së mërkurës pas negociatave
43-vjeçari u shpreh para oficerëve se një prej personave në vendngjarje kishte nxjerrë pistoletën
DURRËS - "Qëllova për vetëmbrojtje", mësohet të jetë shprehur Gani Kapiti në rrëfimin e tij para oficerëve të policisë gjyqësore, lidhur me vrasjen e kryer mesditën e së martës në zonën e plazhit në Durrës.
I vetëdorëzuar rreth orës 23:00 të së mërkurës, 43-vjeçari u arrestua në mesnatë, ndërsa paraqitja e tij në polici mësohet të jetë bërë me ndërhyrjen e avokatit ligjor të tij, Ilir Malindi. Ky i fundit rrëfeu edhe versionin e ngjarjes, në të cilën mbeti i vrarë Agron Bodlli.
Mbrojtja
"Vrasja është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes", shprehet avokati i Gani Kapitit. Sipas tij, gjithçka ka rrjedhur si pasojë e një konflikti të tejzgjatur pronësie. "Agron Bodlli ishte duke punuar për ndërtimin e një hoteli ngjitur me banesën time", ka rrëfyer 43-vjeçari.
"Ky ndërtim është pezulluar dy herë për shkak të ankesave që ne kishim bërë, për shkak se pas hapjes së gropës për ngritjen e ndërtesës së re, muret e banesës sime kishin krijuar të çarë. Kjo për faktin se nuk ishin respektuar distancat e nevojshme të ndërtimeve në tokat ranore",- ka vijuar Kapiti.
Ai gjithashtu ka rrëfyer për debatin e mëparshëm për tokën ku po punohej për ndërtimin e objektit të ri. Kjo tokë ka qenë në pronësi të familjes Kapiti, por me vendim gjykate i kishte kaluar familjes Bodlli, e cila kishte nisur menjëherë ndërtimin e një hoteli.
Objekti ishte pezulluar nga ndërtimorët, ndërsa familja Kapiti kishte bërë denoncimin se i ishin çarë muret e banesës. "Mesditën e së martës ka filluar një konflikt i momentit",- u shpreh avokati Ilir Malindi, i cili vijon, - Gani Kapitit i janë hedhur gurë edhe sharje nga më të rëndat.
I fyer në sedër e duke qenë edhe i acaruar me mekanizmat shtetërore që nuk ia kishin zgjidhur këtë hall me fqinjët e vet, ai është futur në banesë dhe ka marrë një armë gjahu që e kishte me leje dhe ka qëlluar 2 herë për t'i trembur pas sharjeve.
Por, - sipas avokatit, - kur njëri prej personave që u konfliktuan me të ka tentuar që të nxjerrë pistoletën, ai e ka qëlluar fqinjin e vet, Agron Bodlli dhe është larguar nga banesa". 39-vjeçari Bodlli vdiq në spital për shkak të plagëve të marra.
Policia
Ndërkohë, sipas policisë, Gani Kapiti është arrestuar në flagrancë rreth orës 24:00, në ambientet e drejtorisë së policisë së qarkut Durrës.
Shkak për arrestimin e tij ka qenë vrasja për motive pronësie e 39-vjeçarit Agron Bodlli nga Shijaku, banues në lagjen nr.13, në Durrës. Bëhet e ditur se akuza e ngritur ndaj Gani Kapitit është ajo e "vrasjes me dashje". Vetëdorëzimi i tij në polici është bërë pas negociatave me familjarët.