Vrasja e "Mirit të Xhikës", Tufa kërkon pafajësinë
Gjykata e Lartë Rikthen për gjykim në shkallën e parë çështjen në ngarkim të Lavdërim Tufës, i akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës
TIRANË- Maratona disa vjeçare e të pandehurit Lavdërim Tufa në kërkim të pafajësisë për akuzën e vrasjes së Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si "Miri i Xhikës" dhe dy shokëve të tij, do të fillojë sërish nga e para, por jo pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ky vendim u dha nga togat e zeza të Apelit të Krimeve të Rënda, të cilët u shprehën me vendim unanim, në zbatim të "detyrave" që Gjykata e Lartë i kishte lënë.
Sipas tyre, i pandehuri Lavdërim Tufa duhet të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, dhe jo pranë togave të zeza të Krimeve të Rënda. Pasi vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri, nuk është kompetencë e kësaj gjykate, dy shkallët e të cilës në vitin 2006 - 2007 e kanë dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, prova e vetme e pakontestueshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që është përgjigja e analizave të ADN-së së fijes së flokut dhe e pështymës së gjetur në kapuçin e sekuestruar disa metra nga vendi i ngjarjes dhe që mendohet se është përdorur nga i pandehuri Tufa nuk janë 100 % të sakta.
Ky interpretim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka bërë që dosja e vrasjes së "Mirit të Xhikës" të kthehet për rigjykim edhe njëherë pranë Gjykatës së Apelit.
Duke i lënë kësaj gjykate "detyra" për dhënien drejtim të kësaj dosjeje, në lidhje me kompetencën e gjykimit të veprës penale për të cilën është dënuar i pandehuri Tufa me burgim të përjetshëm.
Sipas vendimit të dënimit, i pandehuri ka kryer veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese" të më shumë se dy personave, vepër kjo e parashikuar në Kodin Penal, kompetencë për të cilën është Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Por, sipas interpretimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, vendim ky që është i formës së prerë, akuza ndaj Tufës nuk është "vrasja në rrethana cilësuese" por "vrasje me paramendim", kompetencë e cila është Prokuroria e Tiranës.
Kështu, sipas "detyrave" të Kolegjit Penal, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të kalojë për kompetencë dosjen penale me të pandehurin Lavdërim Tufa pranë Gjykatës së Tiranës, duke urdhëruar rigjykimin e tij.
Sipas vendimeve të dy shkallëve të gjyqësorit, Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Apelit të Krimeve të Rënda, i pandehuri Tufa është fajtor për vrasjen e 29 marsit të të 2003, ku mbeti i vrarë Fatmir Rama i njohur ndryshe si "Miri i Xhikës" nën pronësi të të cilit është kompleksi sportiv "Kartodrom 2000", si dhe shokët e tij Julian Durishti dhe Kristaq Cami, ndërsa, u plagosen dy shokët e tjerë Flamur Rrapaj dhe Ylli Kelmendi.
Kjo vrasje, sipas prokurorisë, ndodhi në periferi të kryeqytetit, konkretisht në kompleksin sportiv "Kartodromi 2000" në kohën që në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës po luhej ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Rusisë.
Për këtë vrasje, Gjykata e Krimeve të Rënda pas dy viteve proces gjyqësor, vendosi në fillim të muajt shtator 2006 deklarimin fajtor të të pandehurit Tufa për vrasjen e trefishtë dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Pak muaj më vonë, aty nga mesi i vitit 2007 ishte Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, që la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ku i pandehuri u dënua në formën e prerë me burgim të përjetshëm.
Por, pretendimi për "pafajësi" nga ana e të pandehurit bëri që dosja të shqyrtohet pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, e cila në fillim të vitit 2009 vendosi të kthejë çështjen pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, duke i lënë një sërë detyrash, që kjo gjykatë i zbatoi vetëm dy muaj më pas.
Sipas prokurorisë, pas hetimeve disa mujore, më 26 nëntor 2004 policia me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, arrestoi të pandehurin Lavdërim Tufa nga fshati Lundër i kryeqytetit. Pas arrestimit, atij iu kryen një sërë analizash të kontestueshme të ADN-së, mbi të cilat edhe gjykata vendosi fajësinë e tij për këtë vrasje të trefishtë dhe plagosje të dyfishtë.
------------------------------------------------------------------------------------------------
Vrasja e Mirit të Xhikes
TIRANË- Ngjarja për të cilën akuzohet Lavdërim Tufa ka ndodhur më 29 mars të vitit 2003, në lokalin "Kartodrom 2000", pronë e Fatmir Ramës ose Miri i Xhikes, gjatë kohës kur në televizion transmetohej ndeshja e futbollit Shqipëri-Rusi.
Sipas vendimeve të fajësisë, dy persona të maskuar dhe të armatosur, ku njëri prej tyre mendohet se ka qenë i pandehuri Lavdërim Tufa, të cilët mbanin në kokë nga një kapuç janë afruar afër derës së lokalit, kanë thyer vetratat dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi tavolinën ku qëndronte Fatmir Rama, së bashku me disa shokë të tij.
Si rezultat i goditjes, mbetën të vrarë Fatmir Rama, Kristaq Cami dhe Julian Drishti, si dhe u plagosën shtetasit Flamur Rrapaj dhe Ylli Kelmendi.
Ndërkohë Kelmendi ka qenë i vetmi që ka reaguar ndaj dy atentatorëve, duke qëlluar në drejtim të tyre dhe ka plagosur njërin. Sipas vendimit, vrasësit janë larguar menjëherë duke shfrytëzuar errësirën dhe duke njohur mirë terrenin. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur një kapuç, ku nga këqyrja e tij është gjetur një fije floku, si dhe gjurmë pështyme që u përdor për kryerjen e analizës së ADN-së.
Ajo përkoi në përqindje më të lartë e përputhshme me të pandehurin, Lavdërim Tufa. Në konkluzionet përfundimtare, vetë prokurorët u shprehën se "është e vërtetë që nuk është përcaktuar një motiv për ngjarjen, por ky sipas tyre nuk është një element i domosdoshëm për të vërtetuar kryerjen e veprës penale".
--------------------------------------------------------------------------------------------------
ESKPERTJA
TIRANË- Provat e vetme nga të cilat u dënua Lavdërim Tufa, është ajo e ardhur nga Italia dhe Anglia. Ekspertja Suzan Pop para gjykatës, në dëshminë e saj ishte e prerë në mendimet e krijuara pas analizimit të fijes së flokut dhe pështymës.
Për të bërë një interpretim të saktë të konkluzioneve, ajo ka theksuar se "ka pasur përpara aktin e ekspertimit të ADN-së së Lavdërim Tufës, bërë në Laboratorin Qendror të Policisë Shkencore italiane, nga doktor Ronaldo Biondo". Në aktin e tij të ekspertimit, Biondo ka cilësuar përputhshmërinë e Tufës në masën mbi 90 %.
Pra, sipas aktit që ka dalë nga laboratori italian, Lavdërim Tufa mund të konsiderohet si autor i mundshëm i vrasjes së Fatmir Ramës dhe shokëve të tij, në mars të vitit të 2003, në mjediset e Kartodromit.
"Unë në vlerën e ADN-së së përzier që ka dalë nga maska, kam marrë në konsideratë dhe versione të tjera dhe kam parë se individi një (që në këtë rast është Lavdërim Tufa), ka kontribuar më shumë në këtë përzierje".
Kjo ishte deklarata e parë e ekspertes nga Londra. "ADN-ja e Lavdërim Tufës përputhet me ADN-në e përzierjes së gjetur në sipërfaqen e maskës së gjetur në vendngjarje. Dua të them se mundësia e përputhshmërisë së një personi tjetër, që nuk ka lidhje me këtë është një për bilion"-ka nënvizuar ajo.
Ekspertja e ishullit mbretëror, duke bërë këtë interpretim, ka nënvizuar se mundësia e fajësisë së Lavdërim Tufës e nxjerrë nga ana e ADN-së së përzierjes është në shkallën superiore. Pop, i ka kujtuar edhe mbrojtjes së Tufës para gjykatës, se nuk ia lejon ligji që të thotë para gjykatës se i pandehuri Tufa është apo nuk është autor i vrasjes.
Ekspertja Pop e ka mbyllur deklarimin e saj duke pohuar se "Për të bërë vlerësimin, unë kam përdorur dy raste. Atë të individit numër një, që është Lavdërim Tufa dhe përzierjes si dhe individin një me një individ tjetër, që nuk ka lidhje. Përfundimi ka qenë i qartë. Lavdërim Tufa përshtatet në shkallën më superiore të mundshme".
----------------------------------------------------------------------------------
GËRDECI
Akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 23 milionë
10 ekspertët në gjykatë për vlerësimet e dëmeve
TIRANË- Prokuroria e Tiranës, ka lëshuar 10 fletë-thirrje ndaj ekspertëve të vlerësimit të dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, duke urdhëruar efektivët e policisë të shoqërojnë të hetuarit në gjendje të lirë për t'i marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurve dhe për njohjen me akuzat ndaj tyre.
Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se atyre do t'iu njoftohet akuza e "shpërdorimit të detyrës" të kryer në bashkëpunim, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 23 milionë lekë të reja në vlerësimin e 72 objekteve të ndryshme, duke i fryrë dëmet në mënyrë artificiale.
Deri pak muaj më parë, prokuroria e kryeqytetit, kishte marrë në cilësinë e të pandehurve vetëm pesë ekspertë të cilët pas tragjedisë së Gërdecit, vlerësuan dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i mbi 400 tonëve barut që ishte depozituar aty.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se mes ekspertëve që janë marrë dhe do të merren të pandehur, gjashtë prej tyre janë punonjës të Aluizmit ndërsa katër të tjerët punonjës të Bashkisë së Vorës.
Sipas burimeve të akuzës, dëmi prej 23 milionë lekëve ka dalë pas riekspertimit të kryer nga një grup specialistësh të caktuar nga prokurori i çështjes, ku është evidentuar se 10 personat nën hetim në vlerësimin e dëmeve kanë abuzuar, duke rritur vlerën e dëmtimeve në mënyrë artificiale.
"Për vlerësimin e gabuar, prokuroria ka marrë fillimisht të pandehur pesë nga 10 ekspertët e grupit të parë të vlerësimit të dëmit, por, që në ditët në vazhdim edhe pesë të tjerët do të merren të pandehur, pasi kanë qenë këta ekspertë që me firmën e tyre kanë vendosur shuma jo reale të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec",-thuhet nga akuza.
Sipas prokurorisë, emrat e personave nën hetime ende nuk mund të bëhen publike, për shkak të disa veprimeve të fundit hetimore, që do kryhen brenda këtyre ditëve.
Kapet në Rinas maqedonasi i kërkuar për trafik droge
TIRANË - Arrestohet nga Policia e Rinasit një shqiptar nga Maqedonia i shpallur në kërkim për trafik droge dhe i dyshuar për kalim të kufirit me dokumenta të falsifikuara. Efektivat e Policisë së Komisariatit të Rinasit kryen arrestimin e Adem Sulejmanit, 40 vjeç, lindur dhe banues në Shkup të Maqedonisë, i dënuar më parë për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike".
Tentativa e Sulejmanit për të kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar ka dështuar , pasi Policia ka arritur ta arrestojë në kohë të kërkuarin nga Maqedonia. Sipas Policisë së Rinasit, arrestimi i 40- vjeçarit maqedonas u krye pasi po tentonte të udhëtonte në drejtim të Çekisë, duke përdorur për të udhëtuar një pasaportë bullgare në emër të V. P Mihalov për të cilën dyshohet se është e falsifikuar.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit që ka paraqitur për verifikim shqiptari nga Maqedonia është konstatuar se dokumentet që ai i përdorte për identifikim ishin të falsifikuara. Uniformat blu pohojnë se i arrestuari Adem Sulejmani nga verifikimet e kryera rezulton se mund të jetë arratisur nga burgu në Maqedoni ku ka qenë duke vuajtur dënimin për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.