E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Madona" vë në pranga tutorin 76-vjeçar

OPERACIONI/ Emin Këlliçi shfrytëzonte si prostitutë gruan 32-vjeçare me të cilën bashkëjetonte prej vitesh


BERAT - Vihet në pranga një i moshuar pasi akuzohet se shfrytëzonte si prostitutë një shtetase 32-vjeçare me të cilën bashkëjetonte. Banesa ku gruaja ushtronte aktivitetin e saj ndodhej në lagjen "30-vjetori" të qytetit të Beratit, ndërsa policia ka vënë në pranga 76-vjeçarin Emin Këlliçi, të akuzuar për "shfrytëzim të femrave për prostitucion", si dhe 32-vjeçaren M.L., të akuzuar për "ushtrim prostitucioni".


Arrestimi i dy personave është bërë ditën e djeshme në kuadër të operacionit të koduar "Madona". Sipas burimeve zyrtare të policisë, 76-vjeçari, shtetas i komunitetit egjiptian, kishte vite që bashkëjetonte me një shtetase 32-vjeçare me origjinë nga një fshat në afërsi të qytetit të Beratit. Më pas, historia ka vijuar në bashkëjetesë për qëllime prostitucioni.


Gjithçka ka dalë në dritë pas një hetimi 1-mujor të kryer nga Sektori Kundër Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit. 32-vjeçarja ushtronte prej kohësh profesionin e prostitutës në banesën e Këlliçit, në lagjen "30 vjetori" të Beratit.

Arrestimi i tyre është bërë në flagrancë, ndërsa policia sekuestroi në banesën e këtyre shtetasve një shumë prej 300 mijë lekësh, 30 prezervativë, një celular, si dhe një thikë, që i përkiste 76-vjeçarit. I moshuari tashmë akuzohet për "shfrytëzim të femrave për prostitucion", si dhe "mbajtje pa leje të armëve të ftohta", ndërsa gruaja 32-vjeçare akuzohet për "ushtrim prostitucioni". R.Dosti

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›