E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 3 pistoleta anëtari i bandës së Yzberishit

OPERACIONI/ Flamur Hida, në kërkim prej 11 vjetësh, është arrestuar dje tek "Komuna e Parisit" nga policia


TIRANË - Kapet me një arsenal armësh në banesë i kërkuari për grabitje me armë me pasojë vdekjen e një personi dhe i dënuar me 15 vite burg për këtë krim.


Flamur Hida, 33 vjeç, banues në Tiranë në rrugën "Komuna e Parisit", i njohur nga policia si një nga elementët më të rrezikshëm me tendencë grabitjen me armë dhe krimet kundër pronës, u arrestua dje në mesditë. 33-vjeçari kishte më tepër se 11 vjet në kërkim për krimin e "grabitjes me armë me pasojë vdekjen".


Hida, sipas burimeve të policisë, por edhe sipas një vendimi të publikuar të Gjykatës së Lartë, është dënuar me 15 vite burg. Sipas vendimit, ai është cilësuar fajtor me 13 tetor të vitit 1998, bashkë me Nazmi Avdillarin, Ilir Avdillarin, Fatmir Avdillarin, Flamur Avdillarin, Shkëlqim Drozin e disa persona të tjerë.


Mësohet se të gjithë personat e mësipërm kanë qenë të hetuar dhe të dyshuar, si pjesëtarë të grupit të Yzberishtit. Ndërkaq, një pjesë e mirë e tyre kanë shlyer dënimet dhe tashmë janë qytetarë normalë.


Lajmi i arrestimit të Hidës, është bërë i ditur për "Shekulli"-n nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan se Hida njihet si një prej elementëve më të rrezikshëm në drejtim të krimeve ndaj pronës e ndaj personit. Ai është kapur në rrugën "Komuna e Parisit", nga oficerët e njësisë operacionale dhe të kërkimit.


Gjatë kontrollit të banesës së kryer nga efektivët e policisë janë zbuluar tri pistoleta të llojeve të ndryshme, dy granata, silenciatorë dhe sende të tjera të ndaluara. Më pas, i kërkuari është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndaj tij ka nisur një procedurë hetimore, duke e pyetur për veprimtarinë e tij, ndërsa po verifikoheshin lidhjet e tij shoqërore.


Gjatë kohës që Hida pyetej nga oficerët e policisë së kryeqytetit në një prej zyrave të hetimit të saj, në banesën e tij një grup hetuesish kanë kryer kontroll të imtësishëm, duke gjetur tri armë zjarri pistoleta, dy granata si dhe disa sende të tjera të paligjshme, që sipas burimeve të policisë mund të jenë përdorur në ngjarje të ndryshme.


Armët janë dërguar menjëherë dje në Insitutin e Policisë Shkencore për të kryer ekspertimet e nevojshme nga specialistët e seksionit të balistikës në laborator për të zbuluar nëse armët janë përdorur apo jo në ndonjë ngjarje kriminale. Veç krimeve të kryera në vitet 1997-'98, Hida tashmë është nën hetim edhe për akuzën e re të "mbajtjes pa leje të armëve munucioneve luftarake dhe sendeve të tjara të ndaluara".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›