E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapitulli i fundit i Megadushkut

Ndryshimet e fundit në qeverinë “Berisha” shënuan fillimin e kapitullit të fundit të Megadushkut, skemës që i dha Shqipërisë një Parlament qesharak, grupime parlamentare fluide, politikanë dhe përgjegjësi politike që sollën deri edhe ngjarje tragjike me përmasa të mëdha, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në qeverisjen e vendit. Kapitulli i parë i Megadushkut u hap me kapërcimin e partisë së Lefter Xhuvelit (me 4 deputetë) nga e majta në të djathtë, duke transferuar një pjesë të votave të PS-së, të trafikuara tek PAA, në qeverinë e Sali Berishës. Të njëjtën gjë do të bënte partia e minoritetit grek, PBDNJ, me 3 deputetë, ndërsa edhe dy parti të tjera të majta që përfituan nga Megadushku, PAD dhe PDS, ishin të gatshme të shkonin në qeveri. Kryeministri Berisha kish arritur, që në start, të realizonte dy gjëra: së pari, të zgjeronte në mënyrë spekulative bazën parlamentare të qeverisë së tij duke siguruar mbështetjen e 81 deputetëve (nga 74 që kishte e djathta) dhe, së dyti, të amortizonte tentativat për rebelim brenda PD-së. Me këtë konfigurim të shumicës dhe lëvizjet e tjera jashtë-institucionale Kryeministri do të kapërcente dhe provën e zgjedhjes së Presidentit dy vjet më pas.

Kapitulli i dytë i Megadushkut vijoi me lëvizjet në Parlamentin shqiptar të cilat u kthyen në modë, kur PDK një parti e vogël, pothuajse inekzistente, thirri në krye të saj n/kryetarin e PDR-së, Nard Ndoka, dhe afroi më pas një grup prej 7-8 deputetësh nga drejtime të ndryshme politike (çuditërisht edhe nga PS), kryesisht me origjinë fetare katolike, duke arritur të futej në qeveri nëpërmjet presionit të numrave në parlament. Kryeministri Berisha do të kapitullonte përballë këtij modeli, por do të niste punën për të gjetur një mënyrë për t’iu kundërpërgjigjur. Fillimisht ai goditi një prej zv/ministrave të propozuar nga PDK, i cili përfundoi në burg i akuzuar për korrupsion. Me kalimin e provës së presidentit, Berisha do të prodhonte gradualisht një tjetër model të ngjashëm me modelin demokristian, për ta përdorur në momentin e duhur kundër Nard Ndokës, që mbante pozicionin e Ministrit të Shëndetësisë. Më parë Kryeministrit iu desh të tentonte përçarjen e PDK-s duke krijuar një tjetër parti që pretendonte se ishte PDK-ja e vërtetë, por nuk ia kish dalë të ndante grupin parlamentar katolik.

Vetëm pak ditë para ndryshimeve në qeveri, në fund të sezonit para-veror, në parlamentin shqiptar do të shpallej krijimi i një grupi të ri parlamentar, heterogjen, me të majtë dhe të djathtë, një grup pa identitet, i ndihmuar proceduralisht nga kryeparlamentarja Topalli, në krye të të cilit do të vihej përsëri një katolik. Ky grup do të zëvendësonte grupin parlamentar të Ndokës, në çdo lloj votimi pro-qeveritar, në këmbim, me siguri, të disa koncesioneve akoma të padukshme. Nëpërmjet këtij grupi, Berisha do të nxirrte si “koc kumbulle” nga qeveria Nard Ndokën duke e zëvendësuar atë me të bijën e Sabri Godos, aleati më i afërt për momentin, njëkohësisht njëri prej mbrojtësve më të zellshëm të përgjegjësve kryesorë për vullkanin qeveritar të Gërdecit. Berisha do të kthente në qeveri republikanët, të diskredituar totalisht, duke i hapur rrugë, jo rastësisht (nëpërmjet emërimit të vajzës së Sabri Godos), një precedenti të pritshëm në politikën shqiptare: trashëgimisë politike. Në ndryshimet e pjesshme qeveritare Berisha do të godiste edhe në një pikë tjetër kyçe, duke i marrë Genc Pollos, ministrinë më elektorale (Ministrinë e Arsimit) dhe duke i kthyer kështu PD-së të gjitha mundësitë për të udhëhequr njëjtësisht të djathtën në zgjedhjet e ardhshme, pa pasur asnjë rrezik prej aleatëve të vegjël.

Parlamenti shqiptar, i kësaj legjislature, degjeneroi në atë lloj mënyre saqë Kryeministri, po të donte, mund ta ndërtonte qeverinë me 10 parti. Të paktën 25 deputetë, ose ndërruan krahun politik, ose ndërruan partitë në parlament, në këmbim të favoreve për vete dhe familjet e tyre. Afro 20% e deputetëve të Parlamentit, si asnjëherë tjetër, shëtitën lirisht nëpër parti të ndryshme duke krijuar dhe prishur grupe parlamentare sipas qejfit. Të gjitha partitë e Megadushkut ishin të gatshme të kafshonin nga një copë qeveri, pavarësisht se nga vinin dhe çfarë përfaqësonin.

Kapitulli i fundit i Megadushkut parashikon lëvizje të mëtejshme në spektrin e politikës shqiptare. Sistemi i ri elektoral, proporcional rajonal, e bën të pamundur përfaqësimin e partive të vogla në parlament. Spostimi i disa partive të vogla nga pushteti, ndonëse për qëllime elektorale, është një gjë e mirë, ndonëse ajo nuk bëhet për interesa qytetare. Ky spostim, në rastin e kampit të djathtë, ku parcelizimi është më i madh, do t’i detyrojë partitë e vogla, ose të bëjnë aventurën e futjes vetëm në zgjedhje, ose të shkrihen brenda PD-së. Tani për tani është paralajmëruar shkrirja e PDR-së së Genc Pollos, fill pas largimit të tij nga Ministria e Arsimit dhe e njëjta gjë mund të ndodhë me republikanët, të cilët kanë marrë përsipër koston e lartë të mbrojtjes së liderit të tyre nga akuza e Gërdecit. Ndër lëvizjet që parashikohen në kampin e djathtë është edhe largimi i Lufter Xhuvelit nga qeveria, ose shkrirja edhe e tij me PD-në, si dhe shkrirja e rrymave tradicionale të djathta të përfaqësuara nga ballistët dhe legalistët. I njëjti proces pritet të zhvillohet në të majtë, por këtu kemi një ekuacion që do të ketë dy rrënjë: LSI dhe PS, brenda të cilave mund të shkrihen, ose të shuhen, 2-3 parti të vogla, PSD, PAD dhe PDS.

Ky kapitull do të ravijëzojë një PD të përforcuar, me shumicën e partive të vogla të shkrira në të, ndërsa një të majtë dypolare LSI-PS, të cilat do të vazhdojnë luftën deri në fund për të siguruar shumicën e mbështetjes në spektrin e tyre. Një gjë që duhej të kishte ndodhur 3-4 vjet më parë. Vështruar kah e ardhmja, skema e trafikut të votave mbeti pas, qëkurse ndryshoi sistemi elektoral, por paradoksalisht kjo skemë duhet t’i japë efektet e saj deri në zgjedhjet e vitit 2009. Se sa i rëndësishëm është përfaqësimi dhe identiteti politik e treguan efektet që prodhoi Megadushku, ose skema e mospërfaqësimit të vullnetit politik qytetar, e cila ligjërisht ka përfunduar ndërsa në realitet po shkon drejt përfundimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›