Pyetësori, Berisha: Mbi bazën e përgjigjeve të sintetizuara do të ndërtohet rruga e anëtarësimit në BE

Përfundojnë thuajse 85% e kapitujve të pyetësorit
Qeveria shqiptare është thuajse drejt përfundimit të pyetësorit të Komisionit Europian. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit Ministria e Integrimit deklaroi se janë shqyrtuar deri tani përgjigjet e 29 kapitujve (83 për qind) të pyetësorit të Komisionit Europian, ku rreth 1480 përgjigje kanë kaluar filtrin e parë të shqyrtimit. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “mbi bazën e përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Europian do të ndërtohet e gjithë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin serioz dhe punën intensive që po bëhet për Pyetësorin, por kërkoi që përgjigjet e pyetjeve të jenë më përmbledhëse. “Në rast se përgjigjet do të jenë më sintetizuese atëherë të tjerët do ta lexojnë me kënaqësi Pyetësorin. Statistikat dëshmojnë se nuk janë triologjitë kryeveprat më të lexuara, ndonëse ato janë shkruar nga korifejtë më të mëdhenj të letrave botërore”, tha kryeministri Berisha. Në përfundim ai vlerësoi se dorëzimi i Pyetësorit është një proces jashtëzakonisht i dobishëm, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni. Komiteti Ndërministror i Integrimit mori sot në shqyrtim 8 kapituj të tjerë të Pyetësorit të KE-së, që në total përbëhet nga 35 kapituj. Kapitujt që shqyrtohen trajtojnë politikat e konkurencës, shërbimet financiare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikat e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë, statistikat, shkencën dhe kërkimin shkencor, arsimin dhe kulturën, politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Në total, këta 8 kapituj përmbajnë rreth 367 pyetje dhe për përgjigjen e tyre janë punësuar 350 punonjës.
...