E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani: “Festë në Gjermani, por dhe ankth për finalen”



“Gjermanët kanë festuar si të çmendur kualifikimin në finalet e Kampionatit Europian. Qielli i Karlsruhes morri zjarr”. Këtë thotë Edmond Kapllani - rekordmeni i Kombëtares shqiptare për numrin më të madh të golave të realizuara brenda një edicioni kualifikues (5 gola) – i cili luan në Bundesligën 1 pikërisht për Karlsruhen. Qyteti prej me shumë se 280 mijë banorë ishte i tëri i veshur me ngjyrat kombëtare gjermane: të zezë, të verdhë e të kuqe. “Atmosfera ishte më e zjarrtë, sesa paraqitja që bënë futbollistët gjermanë në fushë”, - thotë për “Albania-sport.com”, sulmuesi 25-vjeçar (mbush 26, më 31 korrik). “Ndeshjen Gjermani-Turqi e ndoqa me shokun tim të skuadrës, Masimiliano Porçelon te lokali i një mikut tonë në Karlsruhe. Për të qenë i sinqertë, nga mënyra sesi shkoi loja, të thamë se Gjermania shkoi me një këmbë çalë në finale, pasi në të vërtetë nuk e meritoi me lojën që bënë”, - thotë ish-sulmuesi i Partizanit. Durrsakut i pëlqen stili holandez i lojës, por zemra e tij është edhe me Gjermaninë. “Në kampionat isha edhe me holandezët, e si ekip të rezervë mbaja Gjermaninë. U mërzita jo pak kur u eliminuan nga Rusia. Për fat të mirë e pashë ndeshjen në shtëpi, pasi kam kaluar momente të vështira emocionale”, - thotë Edi, që si pjesë e Kombëtares shqiptare është përballur dy herë me “portokallinjtë” e Van Bastenit në eliminatoret e Euro 2008, ku pati edhe një rast të madh për të shënuar në humbjen 0-1 në Tiranë. “Dhe në kompanitë e basteve në Gjermani, por dhe opinionet e ekspertëve Holanda e Gjermania ishte ndër top-favoritet. Por ato duhet të shkëlqejnë për ta merituar një Europian e për të qenë më i miri i Europës. Fatkeqësisht, Holanda u largua shumë shpejt. Turqia u duk si favorite kundër Gjermanisë, megjithatë Gjermania mbetet Gjermani dhe u kualifikua, pasi ka dhe një eksperiencë më të madhe në kompeticionet të tilla”. Kapllani është një lojtar i pjekur e një profesionist i madh. Ka lojtarët e tij të preferuar, por jep edhe një gjykim mbi ndeshjet, të cilat sipas tij janë më të mirat. “I kam parë të gjitha ndeshjet, por më shumë më kanë pëlqyer Rusi-Holandë e Gjermani-Turqi. Nga lojtarët kam pëlqyer më shumë (rusin) Arshavin dhe (gjermanin) Balak. Këtë të fundit, pasi në
këtë kompeticion e ka treguar me të vërtetë që është një lider dhe që është në formë të mirë, të cilën shpresoj ta tregojë dhe në finale”. Ish-sulmuesi i preferuar i Hans Peter Brigelit e Oto Bariçit ka disa ditë që ka filluar stërvitjen me ekipin e tij, Karlsruhen dhe jep edhe një detaj nga atmosfera që mbizotëron në klub pas kualifikimit në finale. “Janë njëlloj si në tërë Gjermaninë, kanë krenarë, por edhe kanë shtuar se nëse Gjermania do të luajë si kundër Turqisë, do ta kenë vështirë në finale”.
Gjermania njihet si “atdheu” i dytë i gati 3 milionë turqve. “Edhe te Karlsruhe punëtori i ekipit, ai që kujdeset për uniformat e këpucët tona është një turk, si puna e Tosit që është te Dinamos e te Kombëtarja. Ishte mërzit shumë”, përfundon Kapllani.
Dash Frashëri

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›