Shpërblimet rekord çmendin gjermanët
Premio rekord kanë mbushur xhepat e Mikael Balak e Co. për arritjen në finale të Gjermanisë në Euro 2008. Për çdo lojtar Federata Gjermane e Futbollit pas fitores kundër Turqisë në gjysmëfinale do të japë 150 mijë euro, shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë. Nëse skuadra e Johakim Lëvit do të fitojë Kampionatin Europian, shumës së parë do t’i shtohen edhe nga 100 mijë euro, që në total për çdo lojtar do të shkojë 250 mijë euro. Sa për të kujtuar: për arritjen në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror 2006, secili lojtar gjerman u shpërblye me 100 mijë euro. Federata Gjermane mund të përfitojë në total një shumë prej 19 milionë euro, duke filluar nga pjesëmarrja e deri te finalja (edhe nëse e humbet atë, pasi përfiton 4.5 milion euro) apo 22 milionë euro nëse fiton 7.5 milion euro. 250 mijë euro për lojtar për të fituar titullin e katërt Europian pas atyre në vitet 1972, 1980 dhe 1996 është një shumë e mirë për të motivuar në kulm Shvajnin e Poldin. “Futbolli cilësor arrin gjithmonë dimensione të reja. Është thuajse normale që ne të paguajmë premio të tilla”, - tha presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Teo Zvanxiger. “80 milionë gjermanë mezi presin që Gjermania të fitojë Europianin”. “Kur unë shikoj se Kroacia ishte e gatshme të paguante 300 mijë euro për kokë për të kaluar çerekfinalen, atëherë 250 mijë për të fituar titullin nuk është edhe ndonjë shumë e madhe”, - theksoi Zvanxiger. Premiot si ato që do të marrin profesionistë si Balaku me shokë, as që nuk mund t’i mendonte kurrë Fric Valter me “kameradët” (shokët) e tij në fitimin e Kampionatit Botëror në vitin 1954, në kohën e televizionit bardh e zi: shpërblimi për titullin ishte vetëm 2500 marka (reth 1250 euro), plus një motori për ta çuar në shtëpi. Në vitin 1974, Franc Bekenbauer me shokë fituan vetëm nga 70 mijë marka (ose rreth 35 mijë euro). 22 lojtarët kampionë të Gjermanisë në vitin 1990 përfituan secili nga 125 mijë marka (62.500 euro). Në Kampionatin Europian të vitit 1996 Federata Gjermane dha nga 100 mijë marka për kokë (50 mijë euro). Rekordi i premiove në Gjermani ishte ai Kampionatit Botëror 2006, me 300 mijë të tilla, nëse Gjermania do të kalonte në gjysmëfinale Italinë , kjo e fundit fitoi edhe Botërorin.
Sa kanë marrë deri tani ekipet
Gjermania 14 500 000 euro
Spanja 12 500 000 euro
Turqia 11 500 000 euro
Rusia 11 500 000 euro
Holanda 10 500 000 euro
Kroacia 10 500 000 euro
Portugalia 9 500 000 euro
Italia 9 000 000 euro
Çekia 8 500 000 euro
Suedia 8 500 000 euro
Rumania 8 500 000 euro
Zvicra 8 500 000 euro
Franca 8 000 000 euro
Austria 8 000 000 euro
Polonia 8 000 000 euro
Greqia 7 500 000 euro
Si ndahen fitimet
7 500 000 euro pjesëmarrja
1 000 000 euro fitorja në grupe
500 000 euro barazimi në grupe
2 000 000 euro fitorja në çerekfinale
3 000 000 euro fitorja në gjysmëfinale
4 500 000 euro vendi i dytë
7 500 000 eruro skuadra kampione
* Shuma maksimale që mund të përfitojë ekipi kampion është 23 milionë euro
Lëv, trajneri më i bukur i Euro 2008
“Ne kemi mentalitet fituesi”. Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv nuk e fsheh kënaqësinë e kualifikimit për në finalen e Euro 2008-s. Në Kupën e Botës 2006, Gjermania e Jurgen Klismanit, por me “mentor” Jogin, u rendit e treta. Tani në Euro 2008, në rastin më të keq do të jetë e dyta. 48-vjeçari është më pranë se kurrë ëndërrës së tij. Të jetë kampion Europe si trajner, pasi si lojtar te Freiburg, Stuttgart, Eintracht Frankfurt, “Herr Lëv”, nuk është se ka shkëlqyer, por në Botërorin e vitit 2006, shumë nga metodat stërvitore të aplikuara nga Klinsmani, i përkisnin ideve të Lëvit. E vërteta është se “Jogi” nuk është dhe aq i dashur sa Klinsani, por më i pëlqyer se Rudi Fëleri. Për ta bërë sa më bindëse këtë përcaktim për seriozin Lëv, ai ka fituar edhe një çmim si “trajneri më i bukur i Europianit”.
Trajneret dhe mosha e tyre
69 vjeç Luis Aragones (Spanjë)
69 vjeç Oto Rehagel (Gjemani)
68 vjeç Karel Brukner (Çeki)
64 vjeç Jakob Kuhn (Zvicër)
61 vjeç Gus Hidink (Rusi)
60 vjeç Jozef Hikersbeger (Austri)
59 vjeç Lars Lagerbak (Suedi)
59 vjeç Luis Felipe Skolari (Portugali)
56 vjeç Rajmond Domenek (Francë)
54 vjeç Fatih Terim (Turqi)
52 vjeç Viktor Picurka (Rumani)
48 vjeç Johakim Lëv (Gjermani)
44 vjeç Roberto Donadoni (Itali)
43 vjeç Marko van Basten (Holandë)
39 vjeç Slavko Biliç (Kroaci)
Mosha mesatare: 57, 52 vjeç
UEFA: “Finalja me gjenerator”
UEFA do të përdorë gjeneratorë me naftë për të ushqyer sinjalin televiziv për ndeshjen finale të Kampionatit Europian 2008, pas “blackout”-it televiziv të pësuar gjatë transmetimit të gjysmëfinales Gjermani-Turqi, për shkak të një shtrëngate të jashtëzakonshme në Vjenë. UEFA pranoi gjatë një konference për shtyp se një numri i konsiderueshëm transmetuesish në botë (përfshi edhe Shqipërinë) kishin humbur sinjalin për disa minuta në pjesën e dytë në fitoren dramatike 3-2 të Gjermanisë kundër Turqisë të mërkurën në mbrëmje, duke kërkuar me ketë rast edhe falje. UEFA pohoi se “blackout’ u shkaktua pas një shtrëngate të fuqishme në Vjenë, atje ku organizatorët e Euro 2008 kanë dhe qendrën mediatike, që shkaktoi edhe ndërprerjen e energjisë elektrike në kryeqytetin austriak. Qeveria e futbollit evropian shtoi se një seri ndërprerjesh elektrike shkaktuan për 18 minuta ndërprerjen e energjisë në qendrën e transmetimit të ndeshjes gjysmëfinale, pasi sistemi mbrojtës dështoi të vinte në punë gjeneratorët. European football's governing body added that a series of small poëer cuts caused 18 minutes of poëer loss to the broadcast centre transmitting last night's semi-final match, after a protection system had failed to trigger on-site back-up generators.
“Sabah”: “Turqia, kampione e zëmrave”
Gazeta më e madhe turke “Sabah” shkruan “Ne jemi kampion të zemrave”. Turku është shumë krenar për ekipin e tij, edhe pse nuk arriti dot në finale, por u largua me meritë pas humbjes 3-2 me Gjermaninë. Gjithsesi, “përralla turke” ishte ndër më të bukurat, teksa vunë në vështirësi të jashtëzakonshme edhe skuadrën favorite për fitimin e Europianit. “Ne e lamë turneun si ekipi që i dha më shumë kolorit kampionatit” - tha Terim. Turqia fitoi 2-1 me Zvicrën, Çekinë (3-2), Kroacinë pas penalltive (1-1 ndeshja) dhe u eliminuan nga Gjermania me një gol të realizuar në minutën e 90-të nga Filip Lahm. “Unë jam shumë krenar, për skuadrën dhe rezultatet. 70 milionë njerëz dhe zemrat e tyre ishin me ne”.
“Ne treguam se ishim skuadra më e mirë e Europianit. Ne i detyruam gjermanët të luanin sipas futbollit tonë”, shkruan gazeta “Sabah”. “Mos jini të trishtuar- ne fituam” – shkruan gazeta “"Hürriyet". Gjithsesi, Fatih Terim nuk do të jetë më trajneri i Turqisë. Futbolli në Turqi po bëhet i rëndësishëm, por dhe sukseset nuk mungojnë. Në Botërorin e vitit 2002 dhe në Euro 2008, Turqia ishte në gjysmëfinale. Tani të gjithë mendojnë Kupën e Botës 2010. Emri më i ri si pasuesi i Fatih Terimit është përfolur Kristof Daum.
Gjermania me tifoze VIP, kancelaren Merkel
Gjermania në finale të Euro 2008-s, por me një nga tifozet më të mëdha dhe më të pabesueshme, kur mendon se ajo është kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila u dërgon rregullisht mesazhe lojtarëve para dhe pas ndeshjes, teksa nuk ka munguar edhe në dhomat e zhveshjes për të biseduar me ta. Madje në jo pak raste ka dhënë edhe ndonjë opinion në lidhje me paraqitjen e Gjermanisë në ndeshjet e Europianit. E njohur është deklarata e Bastian Shvajnshtajgerit: “Kur zonja Kancelare të thotë se duhet të bëni diçka ju duhet ta bëni”. Merkel e shpreh hapur entuziazmin e saj kur Gjermania shënon.
ZDF hedh në gjyq UEFA-n
Televizioni publik gjerman ZDF është duke vlerësuar hapjen e një çështje gjyqësore kundër UEFA-s porsa i përket shkak të ndërprerjes së sinjalit televiziv gjatë ndeshjes gjysmëfinale të Euro 2008-s midis Gjermanisë e Turqisë (3-2). Sinjali u ndërpre tre herë, ndërkohë që teleshikuesit gjermanë nuk arritën të shikonin direkt edhe golin e realizuar nga Miroslav Kloze (atë 2-1), për më tepër që ndërprerje kishte edhe në minutat finale. Sipas ZDF ndeshja u ndoq nga 32 milionë e 740 mijë persona, një rekord absolut për televizionin gjerman.
Marçelo Lipi, trajneri i ri i Italisë
Trajneri kampion i Botës, Marcelo Lipi, nënshkroi një kontratë të re me Federatën Italiane të Futbollit për të drejtuar pas dy vitesh mungesë Kombëtaren e Italisë. Sipas të dhënave të gazetës sportive italiane "Gazzetta dello Sport", 60-vjeçari do të fitojë në vit 1.2 milionë euro. Ish-trajneri i Juventusit do të zëvendësojë 44-vjeçari Roberto Donadoni, i cili edhe pse nënshkroi kontratën për të drejtuar Italinë në “Afrika e Jugut 2001” pak ditë para fillimi të Euro 2008-së, nuk mundi të çojë Italinë në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian. Testi i parë i Marçelo Lipit do të jetë ai kundër Austrisë, më 20 gusht në Nisë.
27 Qershor 2008