E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani: “Radha ime për gol”

Sulmuesi Edmond Kapllani, i cili nuk përdor nga trajneri Oto Baric në ndeshjen miqësore e humbur me Anglinë (3-1) për shkak të dëmtimit të tij, dëshmoi në ndeshjen testuese kundër Olimpikut të Tiranës (13-0) se është i gatshëm të udhëheqë Shqipërinë në fitoren e parë në eliminatoret e Euro 2008. Me katër gola në vetëm 45 minuta lojë dhe dy asistë në golat e Alban Bushit dhe Ervin Skelës, Kapllani shfaqi agresivitetin e tij, duke hedhur poshtë cdo dyshim për kondicionin e tij fizik. "C'është e vërteta e nisa stërvitjen ditën e hënë me dyshim, pasi mendova se mos kisha ndonjë problem që nuk do të më lejonte të rikuperohesha për ndeshjen kundër Luksemburgut", thotë sulmuesi i fuqishëm i Karlsruhes, njëherësh edhe "Këpuca e argjendtë" e Bundesliga 2.
"U gëzova se bëra një paraqitje të mirë në ndeshjen me Olimpikun, nuk ndjeva aspak dhimbje dhe kjo më bën optimist edhe për ndeshjen e së shtunës, ku do të jap 100% tim", thotë sulmuesi durrsak, i cili ka zhvilluar 14 ndeshje zyrtare dhe miqësore me Kombëtaren kuqezi, qysh prej debutimit të tij në miqësoren me Suedinë, i thirrur nga Hans Peter Brigel. Emdond Kapllani, i cili luan prej dy sezonesh në Bundesliga 2 në 70 ndeshje ka shënuar 24 gola, e dëshiron fort golin e parë me Kombëtaren. "Na duhet të fitojmë me Luksemburgun dhe natyrshëm që edhe unë dëshiroj të shënoj gol. Porositë e trajnerit janë për të bërë presing për ta nxjerrë golin sa më shpejt", thotë 24-vjecari Kapllani, i cili në ndeshjen kundër Luksemburgut ka shansin e madh të luajë 90 minuta të plota. Gjatë këtij edicioni eliminatoresh durrsaku ka luajtur në tre ndeshje që në total bëjnë 111 minuta, vetëm një takim nga minuta e parë. Kapllani luajti si zëvendësues në barazimet me Bjellorusinë (17 minuta lojë), me Slloveninë (titullar, 58 minuta lojë) dhe Bullgarinë (36 minuta lojë). Në ndeshjen Shqipëri-Slloveni (0-0) për Kapllanin u interesuan menaxherë të Juventusit, Majorka dhe Porto.
Stefan Mueller

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›