Kapllani firmos për dy vjet me Augsburgun
JETMIR HALILAJ
Kapllani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka firmosur dje për skuadrën e Augsburgut në Bundesligën 2. Ai i ka dhënë fund aventurës katërvjeçare te skuadra e Karlsruhes, pasi kjo e fundit nuk arriti të siguronte mbijetesën në Bundesligën 1. Lajmi është zyrtarizuar dje nga mediat gjermane. Futbollisti shqiptar ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Augsburgun, i cili interesohej për shërbimet e durrsakut që nga muaji janar.
Klauzola
Sulmuesi 27-vjeçar rinovoi kontratën dy vjet më parë me Karlsruhen, por në marrëveshjen me klubin gjerman ishte shtuar një klauzolë, sipas të cilës, nëse skuadra do të zbriste në Bundesligën 2, ai do të ishte i lirë të largohej. Pikërisht, falë kësaj marrëveshjeje, shqiptari ka mundur të zgjidhte kontratën me Karlsruhen. Lojtari ishte një idhull për tifozerinë e kësaj skuadre, pasi dha një kontribut të madh në ngjitjen e saj në Bundesligën 1 në sezonin 2006-2007, me 17 golat e shënuar. Pas kësaj, ai pati pak hapësira në dispozicion dhe gjatë dy viteve që ekipi militoi në Bundesligën 1, u aktivizua me pikatore nga trajneri Edmund Beker. Vitin e kaluar ai shënoi vetëm dy gola në këtë Bundesligë, ndërsa këtë sezon nuk arriti të shënonte asnjëherë.
Problemet
Futbollisti aktivizohej shumë pak te Karlsruhe dhe kjo padyshim krijoi tension mes Kapllanit dhe stafit teknik. Ai shpeshherë i kishte kërkuar ish-trajnerit Edmund Beker që të luante më tepër, pasi skuadra po kalonte edhe krizë rezultatesh, por fjalët e tij nuk u morën parasysh. Kapllani shpre-soi deri në fund, por kur pa se e kishte të pamundur të gjente hapësira, vendosi që të ndërronte skuadër. Për më tepër, edhe Karlsruhes i interesonte që shqiptari të largohej, pasi ishte një ndër futbollistët më të paguar të kësaj skuadre. Ndërkaq, te klubi i Augsburgut e kanë mirëpritur 27-vjeçarin kuqezi. Trajneri i skuadrës, Jos Luhukai, ka thënë se blerja e shqiptarit është një përforcim shumë i mirë për skuadrën e tij. Ai ka premtuar se me disa afrime të tjera lojtarësh cilësorë, Augsburgu do të pretendojë Bundesligën 1 sezonin e ardhshëm. Sipas medias gjermane, tekniku i ka plotësuar sulmuesit shqiptar një nga kërkesat primare: të qenit titullar në formacion.