E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Adoleshenti më mbajti peng për dy ditë”

 

TIRANE – Një vajzë 16-vjeçare nga kryeqyteti denoncoi në polici një adoleshent duke e akuzuar për përdhunim dhe heqje të paligjshme të lirisë. Sipas burimeve zyrtare nga policia, mësohet se Lorela L, 16 vjeçe, ka paraqitur kallëzim penal në komisariatin nr.3 lidhur me ngjarjen e rëndë e cila ende po verifikohet nga hetuesit. Duke iu referuar deklarimeve të vajzës në momentin e kallëzimit, ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë kur Genc L, 18 vjeç e ka marrë me forcë adoleshenten duke e çuar në një shtëpi tek “Dogana” në Tiranë. Policia dyshon se 18-vjeçari mund të ketë përdorur ndonjë mashtrim apo rreng për të çuar vajzën në shtëpinë ku e ka mbajtur me forcë për dy ditë. Sipas burimeve të policisë, gjithnjë duke iu referuar dëshmisë dhe pretendimeve të vajzës, i dyshuari 18-vjeçar, mendohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me adoleshenten, duke e kërcënuar dhe duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Sipas vajzës, ajo është mbajtur e mbyllur në shtëpi për dy ditë pa mundësi largimi. Në rrethana ende të paqarta vajza ka rifituar lirinë dhe menjëherë ka bërë denoncim në polici kundër autorit të ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, mësohet se i denoncuari nga vajza është shpallur në kërkim, ndërsa grupi i hetimit po verifikon pretendimet e vajzës dhe rrethanat e ngjarjes. Personi i shpallur në kërkim, Genc L, 18 vjeç, mësohet se është i dënuar  më parë për veprën penale të vjedhjes. Ndaj tij është nxjerrë urdhër-ndalimi ndërsa policia tha se po punon për kapjen e tij me qëllim marrjen në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në banesën tek “Dogana”. Nga ana tjetër specialistët janë duke ekspertuar gjendjen e vajzës me qëllim saktësimin e rrethanave të ngjarjes së rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›