Grinden për truallin, vritet nga fqinji i tij 60-vjeçari
MALLAKASTER/ MAJLINDA RAMA
Vritet për një truall 60-vjeçari. Aliko Malaj u qëllua me armë zjarri nga bashkëfshatari i tij në Poçem të Mallakastrës. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, ndërsa u arrestua disa orë më vonë autori, Përparim Merkaj. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se Malaj dhe Merkaj kanë qenë në qendër të fshatit kur janë ndodhur në këtë debat, i cili ka qenë fatal për më të vjetrin. Banorë të zonës shprehen se dy fqinjët kanë nisur të debatojnë për ngritjen e një godine nga 60-vjeçari, por nga Merkaj pretendohej se ndërtimi i cenonte pronën që kishte me dokumentacion të rregullt. Të njëjtën gjë mësohet të ketë pretenduar dhe viktima, i cili vetëm disa çaste përpara ngjarjes tregonte se posedonte gjithë dokumentet për këtë pjesë toke. Më pas debati është ndezur edhe më shumë kur ata kanë filluar të fyejnë njëri-tjetrin me fjalë të rënda. Ka qenë pikërisht ky moment kur 36-vjeçari Merkaj ka nxjerrë nga brezi i pantallonave një pistoletë dhe me të ka qëlluar drejt Malajt. Në këtë kohë bashkëfshatarë të tjerë janë afruar pranë vendit ku ishte zhvilluar sherri i përfunduar me një krismë pistolete, por kanë gjetur të pajetë Aliko Malajn. Menjëherë është lajmëruar policia e qytetit, në ndihmë të së cilës shkuan dhe ata të Fierit. Ata kanë zbardhur menjëherë emrin e autorit Përparim Merkaj, pasi shumë dëshmitarë kanë treguar për grindjen dhe shkakun e saj. Pas krimit, uniformat blu u vunë në kërkim të autorit, i cili u vu në pranga brenda një kohe të shkurtër, pa bërë rezistencë. Policia thotë se pista e pronësisë është ajo ku janë përqendruar hetimet për krimin që tronditi fshatin e thellë. Mësohet se viktima është xhaxhai i kryeprokurorit të Vlorës, por ngjarja sipas policisë nuk lidhet me detyrën e këtij të fundit. Pritet që të merret dhe dëshmia e autorit të vrasjes dhe pretendimet e tij mbi pronësinë e truallit ku kryheshin punimet. Ndërkohë, nga të dhënat e para pohohet se Malaj zotëronte dokumentet e pronësisë dhe konflikti mes tyre nuk ishte ndjekur në rrugë gjyqësore.