E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushte me shokun,Berisha përjashtohet

 

Besart Berisha është përjashtuar nga skuadra e Horsensit, për shkak se është zënë me grushte me një nga shokët e skuadrës. Klubi ka vendosur t'i ndërpresë menjëherë marrëdhëniet me lojtarin, duke i kërkuar atij të largohet. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte në huazim te ekipi danez. Ai ishte transferuar në muajin janar nga ekipi i Bërnleit, pasi nuk kishte mundur të gjente hapësira te kjo skuadër. Mediat daneze kanë njoftuar se bëhet fjalë për një sulm fizik të Berishës ndaj mbrojtësit Kenet Emil Petersen. Ky i fundit ka kritikuar Berishën gjatë seancës stërvitore të së martës, ndërsa shqiptari më pas është acaruar dhe e ka goditur me grusht në kokë. Disa nga lojtarët e tjerë të Horsensit kanë ndërhyrë për të qetësuar gjakrat, por sipas mediave daneze Berisha është përpjekur disa herë që t'u shmanget atyre dhe të vazhdojë sulmin. Trajneri i Horsensit, Henrik Jensen, nuk ka qenë prezent gjatë incidentit, por ndihmësit e tij e kanë njoftuar për rastin. E sipas tij, nuk ka aspak dyshime rreth asaj që Berisha duhet t'i bëjë valixhet gati dhe të rikthehet në Angli. "Nuk mund ta pranojmë një veprim të tillë. E kemi diskutuar këtë çështje me ekipin dhe kemi vendosur që Berisha nuk duhet të luajë më. Natyrisht që jam shumë i zhgënjyer, por ne kemi rregulla dhe për klubin ky incident është i papranueshëm", ka deklaruar një ditë pas incidentit të ndodhur tekniku Jensen për mediat daneze. Ky incident ndodhi pikërisht pak ditë para ndeshjes vendimtare për AC Horsensin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›