Barcelona e rekordeve fiton edhe Ligën e Kampioneve
Një finale magjike me lojtarë "jashtëtokësorë" si Samuel Eto'o e Lionel Mesi i dhuruan Barcelonës triumfin e tretë në Ligën e Kampioneve, duke mposhtur një gjigant si Mançester Junaitid (2-0), por me një ditë mjaft të errët në "Olimpik" të Romës. Me nga një gol në çdo pjesë loje, kamerunasit Eto'o në minutën e 10-të dhe argjentinasit Mesi në të 70', i siguruan katalanasve kurorën e "mbretit" të Evropës për sezonin 2008-2009, por dhe një tripletë historike kuqebluve spanjollë në debutimin e parë të "djaloshit" Pep Guaridiola. Kristiano Ronaldo, Uejn Runi e Karlos Tevez, por dhe trajneri legjendar skocez i "Djajve të kuq", përshëndetën kampionët e rinj të Evropës, Barcelonën, në një nga ditët më historike të saj. Presidenti i Barcelonës, Huan Laporta, ishte njeriu më i lumtur në botë pas fitimit të tre trofeve të mundshëm gjatë këtij sezoni: Kupën e Mbretit në Spanjë, kampionatin spanjoll Primera Division dhe së fundi Ligën e Kampioneve, kompeticion më prestigjioz të klubeve në kontinent. Nga ana e tij, Leo Mesi me 9 gola të realizuar fitoi "Këpucën e artë" të këtij kompeticioni, duke vendosur një kandidaturë të fortë për të fituar "Topin e artë" dhe "FIFA World Player". Finalja e djeshme ishte e 54-a për këtë veprimtari që filloi në sezonin 1955/56. Barcelona luajti për herë të pestë në një finale dhe e ka fituar tri herë Ligën e Kampioneve, në vitet 1992 2006 dhe 2009. Mançesteri, që nga ana e tij luajti për herë të katërt në finale dhe i kishte fituar të tri takimet e mëparshme në vitet 1968, 1999 dhe 2008, dështoi kësaj radhe. Barcelona ka fituar gjithashtu katër herë Kupën e Kupave dhe tri herë Kupën UEFA. Pep Guardiola u bë trajneri më i ri që fiton Ligën e Kampioneve në 49 vitet e fundit. Pep, 38-vjeçar është vetëm tetë ditë më i madh se rekordmeni i të gjitha kohërave, Munjoz, trajneri i Realit në vitin 1960. Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola u bë i gjashti individ që e fiton Championsin si trajner dhe si futbollist, por vetëm i treti që e bën diçka të tillë me të njëjtin klub. Më parë këtë sukses e kanë arritur Munjoz me Realin e Ançeloti me Milanin. Roma, kryeqyteti i Italisë, priti finalen e Ligës së Kampioneve për herë të katërt pas atyre të viteve 1977, 1984 dhe 1996. Rekordin e mban stadiumi "Uembli" i Londrës, që ka pritur pesë finale. E gjashta do të jetë në vitin 2011.