Qeveria ul çmimin e kartave
ADI SHKEMBI
Qeveria vendos të ulë tarifat e kartave të identitetit për studentët dhe shtresat në nevojë. Me një vendim qarkullues Berisha paralajmëroi përgjy-smimin e çmimit për studentët dhe uljen 70 për qind për shtresat në nevojë. Burime nga qeveria konfirmojnë se përfitues do jenë edhe pensionistët. Karta për ta do të kushtojë 700 lekë. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit kryeministri shpjegoi edhe arsyet përse letërnjoftimi biometrik nuk mund të jepet falas. Sipas kreut të qeverisë ulja e parë që i është bërë kartave të identitetit ka qenë pikërisht heqja e TVSH-së. Ai tha se vlera reale e kartave është deri në 1500 lekë të reja, ndërkohë që me heqjen e asaj takse qytetarët do të mund ta marrin për 1200 lekë. "Sikundër, është e vërtetë që qeveria ka vendosur masa gjysmë detyruese dhe detyruese për pajisjen me këto dokumente, por këtë gjë e ka bërë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Gjithashtu, qeveria, me vendim qarkullues, do të përcaktojë tarifat e reja. Si fillim, kemi ulur me mbi 30 për qind çmimin për marrjen e këtij dokumenti, kemi hequr TVSH-në e letrës. Pra, janë bërë disa hapa, por do të ndërmerren edhe hapa të tjerë ndaj atyre shtresave që janë më në nevojë", tha Berisha.
Tarifat e reja
Sipas kryeministrit disa prej kategorive do të përfitojnë uljen në çmimin e letërnjoftimeve biometrike. Kështu studentët nuk do ta marrin kartën me çmimin aktual prej 1200 lekësh, por 50 për qind më pak, pra 600 lekë. Në të njëjtën kohë, disa kategori të tjera të cilat ende nuk janë përcaktuar përfundimisht do të kenë ulje deri në masën 50 për qind, kurse shtresat në nevojë sipas kreut të qeverisë do të përfitojnë deri në 70 për qind ulje çmimi. "Studentët do ta marrin këtë kartë me çmim të përgjysmuar. Krahas tyre, edhe kategori të tjera do ta marrin me gjysmë çmimi, ndërsa familjeve me ndihmë ekonomike u takon ta marrin me rreth 30 për qind të çmimit, në një kohë kur çmimi real është 14-15 mijë lekë. Ky dokument nuk mund dhe nuk duhet të shpërndahet falas, sepse kjo është mënyra më e sigurt për abuzivitet, por nga ana tjetër, ky është një çmim ndër më të ulëtit që mund të ketë praktikuar ndonjë vend", u shpreh më tej Kryeministri Berisha.
Liberalizimi
Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit u miratua raporti i qeverisë shqiptare, i cili do t'i paraqitet Brukselit për masat që janë marrë në drejtim të liberalizimit të vizave. Duke folur në mbledhjen e djeshme Kryeministri Berisha theksoi se "Komiteti Ndërministror miraton sot një raport të hollësishëm që ministritë dhe të gjitha agjencitë kanë përgatitur për të dorëzuar në datën 14 janar në Bruksel, në zbatim të detyrimeve që ne kemi për të përmbushur dhe arritur heqjen vizave dhe lëvizjen e qytetarët shqiptarë në hapësirën e Bashkimit Evropian". Sipas tij "Procesi po ecën në kursin e tij shumë të mirë, pas vizitës që bëri në Tiranë Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Franko Fratini, marrjes së pyetësorit nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme, të dorëzuar nga drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian, shqyrtimit të së gjithë problematikës dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky pyetësor, nga të gjitha institucionet e vendit. Përgjigjet e këtij pyetësori kanë pasur një impakt qartësisht pozitiv".
PS: Qeveria dështoi me kartat e identitetit
Partia Socialiste e konsideroi dështim procesin e nisur dje për aplikimet për karta identiteti. Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, tha dje përmes një komunikimi me mediat se, "qeveria nuk ka plan të qartë se si do të menaxhohet i gjithë procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti". "Sali Berisha kërkon përfundimisht të gënjejë vetveten, opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, përderisa quan sukses të qeverisë dhe disa radhë qytetarësh në Tiranë", tha Bare. Sipas tij, Berisha ende nuk ka një plan për koordinimin e të gjithë aktorëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për demokracinë. "Sali Berisha duhet ta ketë të qartë që pa pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ne jemi gati t'i ofrojmë planin tonë që garanton sukses, ndërkohë që procesi pa plan i qeverisë është i dështuar", tha përfaqësuesi i PS-së.
Prifti: Mungesë transparence për kartat
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi qeverinë për mungesë të theksuar transparence në procesin e kartave të identitetit. Nënkryetari i kësaj partie, Dritan Prifti, i kërkoi dje qeverisë të nisë informimin e publikut për këtë proces. "Procesi ka filluar me një mungesë të theksuar transparence, me një mungesë të theksuar të komunikimit me publikun, në lidhje me detajet e këtij procesi, nuk janë publikuar në asnjë vend kriteret, nuk janë publikuar në asnjë vend se çfarë dokumentesh duhet të kenë njerëzit për të kërkuar marrjen e kartës së identitetit, kushtet që duhen plotësuar për këto etj. Pra, ka një mungesë të theksuar të transparencës, për të cilën ne i bëjmë thirrje menjëherë Qeverisë dhe kompanisë, e cila ka fituar koncesionin për dhënien e këtyre kartave të identitetit, të fillojë menjëherë sqarimin e opinionit publik dhe për dokumentacionin që duhet të shoqërojë procesin, të publikohen në media, por edhe në vende publike udhëzime të qarta për këtë proces", tha Prifti. Përfaqësuesi i lartë i LSI-së i kërkoi gjithashtu qeverisë të heqë penalitetet për ato qytetarë që nuk mundin të aplikojnë për karta identiteti. "I bëjmë thirrje Qeverisë të heqë penalitetin. Nuk mund të penalizojë Qeveria askënd, nëse ka mundësi apo s'ka mundësi një qytetar të marrë kartën e identitetit, në afatin që ka caktuar Qeveria. Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut", tha Prifti.