E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Tokat po i “vjedh” pushteti

 

BLEDAR HOTI

Presidenti Bamir Topi akuzon ashpër pushtetarët se po kryejnë abuzime të mëdha me pronat. Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, kreu i shtetit ka qenë tepër i ashpër ndaj fenomeneve abuzive, të kryer nga njerëz që kanë mbi supe petkun e pushtetit. Nga ky takim, që zhvillohet dy ditë përpara raportimit të qeverisë përpara Brukselit mbi reformat e arritura dhe të pronësisë, ish-pronarët i kërkuan presidentit që të ndërhynte në shfuqizimin aktual të ligjit të “Të kthimit dhe kompensimit të pronave” të miratuar nga maxhoranca e djathtë në vitin 2006.
Kërkesat e shoqatës
Avokat Agim Tartari, një ndër përfaqësuesit e kësaj shoqate, u shpreh “se duhet të shfuqizohet ligji aktual dhe të hartohet një ligj i ri për çështjen e pronave, ku të diskutohet me të gjithë aktorët e interesit”. Ndërsa përfaqësuesi tjetër Gëzim Boçari, duke shprehur mendimin e shoqatës, deklaroi se “duhet një moratorium për çështjen e ligjit të legalizimeve dhe të kompensimit të pronave”. “Ne mendojmë se ky moratorium është i nveojshëm, pasi më parë duhet të nisë procesi i kthimit fizik të pronës. Duhet tw bllokohet njwkohwsisht dhe procesi i kompensimit fizik”. Sekretari i kësaj shoqate, Agim Toro ngriti shqetësimin e shmangies së “ish-pronarëve nga e drejta e parablerjes së truallit”. Ndërsa përfaqësuesi tjetër, Mulleti deklaroi se “ligji i pronave po pëson të njëjtin fat si të dosjeve”. Ndërsa për ligjin e legalizimeve, Mulleti deklaroi se “edhe drejtuesit e Agjencive të Legalizimeve kanë konflikt interesi pasi vetë ata kanë ndërtime paleje”.
Reagimet e Topit
Presidenti në lidhje me kërkesën për ligj të ri pronash, ka theksuar se është e drejtë Kuvendit dhe jo e Presidentit të ndërmarrë nisma të tilla. Kreu i shtetit ka lëshuar akuzat ndaj institucioneve dhe drejtuesve të saj se nuk po merren seriozisht me çështjen e pronave, që po mbahet pezull prej më shumë se 18 vitesh. “Gjëja më e papranueshme është kur deformohet realiteti, kur njerëz që njihen me gisht si zaptues pronash sjellin nën akuzë pikërisht njerëzit dhe kontigjentin e njerëzve, që janë më të ndershëm. Keni parë kur them që çështja e pronave është shumë e ngjashme me çështjen e dosjeve të lustracionit”, theksoi Topi.
Presidenti theksoi se “është e papranueshme, që ky problem shumë i rëndësishëm mos të trajtohet në linjë të pastër e të sinqertë nga të gjithë njësoj dhe është akoma më e papranueshme, sepse jetojmë në Shqipëri dhe pozicioni të lejon të marrësh shumë informacione, që njerëz të cilët i kanë zgjatur shumë duart nëpër pronat shtetërore dhe pronat e të tjerëve, flasin për parimet dhe për legjitimitetin e pronës. Është e papranueshme, është paradoks i vërtetë”. Ai insistoi në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeve, duke u kërkuar institucioneve të angazhohen maksimalisht. “Shumë informacione merren edhe nëpërmjet kanaleve të tjera, por unë marr në konsideratë informacionet zyrtare, që kanë shumë probleme me pronat, ka abuzime, ka korrupsion, mjaft çështje janë në proces, shumë të tjera mund të jenë objekt i investigimit, i denoncimit, që janë objekti i institucioneve të tjera që konsiderohen institucione të drejtësisë, por ky është një moment shumë i rëndësishëm për t’i dhënë fund çështjes së tranzicionit te pronësia”, deklaroi Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›