Biznesi në syrin e një gruaje
Gruaja, ajo që krijon jetën, s’e ka të vështirë aspak të ngrejë e drejtojë një biznes. Drejtimi i bizneseve nga gratë jep një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Por kjo, në shumë raste nuk merr vlerën e vërtetë që ka. Përvojat më të mira dhe të më të suksesshme të grave biznesmene në Gjermani e Shqipëri janë përballur dje në një konferencë të përbashkët, “Gratë në biznes”. Krijimi i një platforme të gjerë dhe të plotë bashkëpunimi midis sipërmarrëseve nga Shqipëria dhe Gjermania, por dhe hapat e mëtijshëm për krijimin e një lobingu femëror të gruas në biznes ishin në qendër të konferencës “Gratë në biznes”, organizuar të mërkurën në hotel “Tirana International”, me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ) dhe Komisionit të Lindjes së Ekonomisë Gjermane. Kjo konferencë u përshëndet dje në mënyrë të veçantë nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borchardt. E pranishme në këtë konferencë ishte ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, një grua e suksesshme në politikë. “Gratë drejtuese janë zemra e vendit, që drejtojnë qoftë një biznes të mesëm, një firmë ndërkombëtare, një institucion apo edhe një familje”, - tha ministrja Bregu në fjalën e saj, ndërsa e vuri theksin në përmirësimet dhe lehtësimet ligjore që duhen bërë për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në biznes.
Sipas saj, “gratë pjesëmarrëse në këtë aktivitet janë shembulli i një suksesi të arrirë me mund dhe sot ato dëshmojnë edhe një herë se një grua nuk mendon vetëm për arritjet personale, por lufton për një çështje më të madhe, atë të sigurimit të kësaj të drejte për të gjitha gratë e tjera”. Ndërsa ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchhard, duke vlerësuar përcaktimin në Kodin Zgjedhor për një pjesëmarrje prej 30% të grave në Parlament, u shpreh se ndryshimet në kuadrin ligjor në Shqipëri po ecin me një ritëm të shpejtë dhe këtë e dëshmojnë më së miri edhe përmirësimet ligjore si “Ligji për barazinë gjinore” dhe "Për parandalimin e dhunës në familje”. Përzgjedhja e Shqipërisë në këtë organizim lidhet me faktin se vendi ynë është kthyer në një vend që ofron stabilitet në rajon, por edhe sepse tregjet e reja që kanë nevojë për produkte dhe shërbime, hapin perspektiva për zhvillimin e bizneseve edhe nga gratë. Sipas statistikave, gratë në Shqipëri përbëjnë 51% të popullsisë. Të dhënat mbi varfërinë tregojnë për një feminizim të saj dhe rritje të peshës së fëmijëve në grupin e të varfërve. Ato kanë më pak mundësi sesa burrat për të filluar një punë, për pasojë niveli i papunësisë është më i lartë. Megjithëse niveli i arsimimit të gruas është i barabartë me burrat, kjo nuk u siguron atyre të njëjtat mundësi në tregun e punës. Niveli i punësimit te gratë është 46%, kundrejt 69% për burrat. Situata e punësimit të gruas është më e favorshme në sektorin e administratës publike ku gruaja zë 56% të të punësuarve. Pabarazia në punësim është shumë e dukshme në sektorin privat, ku vetëm 17% e grave punojnë në nivele drejtimi. Përveç nivelit më të ulët në punësim, gratë shpërblehen më pak se burrat dhe janë më të rrezikuara nga largimet nga puna.
Në Tiranë numërohen 100 biznese të mëdha që drejtohen nga gratë, kryesisht në prodhimin e konfeksioneve, këpucëve, import-eksportit, ndërtim, mode, agjenci udhëtimi, turizëm, studio ligjore, etj
Elisabeta Gjoni, gruaja bankiere në Shqipëri
Elisabeta Gjoni, është e para grua, që menaxhon tregun e sigurimeve si kryetare e Autoritet Mbikëqyrës të Sigurimeve në Shqipëri. Por mbetet gjithashtu e para grua e ngritur në pozicionin e zëvendësguvernatores së Bankës së Shqipërisë. Me shkollim të kualifikuar për sektorin bankar, sepse përveç studimeve të larta në Universitetin e Tiranës për Financë, ka studiuar më tej në Universitetin Katolik në Leuven, (Belgjikë), ndërsa zotëron përvojë të gjatë pune në pozicione drejtuese si CEO e AFSA, komisionere e ASC (ASC Albanian Securities Commission), këshilltare financiare e Presidentit në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Sot, është anëtare e Bordit Supervizues të Bankës së Shqipërisë, ndërsa ka mbajtur pozicionin e Guvernatores së BERZH, anëtare e komisionit negociues për borxhin e jashtëm, etj. Gjoni është autore e një sërë studimesh, artikujsh dhe kërkimesh në financë, politika ekonomike, strategji privatizimi, vlerësime financiare etj.
Teuta Rino Ibrahimaj, një biznes karburantesh drejtohet edhe nga një grua
Teuta Rino Ibrahimaj, gruaja e parë që nisi biznesin e karburanteve, i ka kushtuar që nga nisja jo pak, por plot 14 vjet punë. E diplomuar si juriste, me një përvojë 32-vjeçare pune, është nëndrejtore e përgjithshme e Shoqërisë “IAP” Sh.p.k, administratore e shoqërisë “AGI-GAZ” Sh.p.k, por dhe aksionere e kompanisë së naftës “AL.P.IN” Sh.a. Tri janë pikat kryesore, të cilat Teuta Rino Ibrahimaj, i vlerëson më të rëndësishme në të bërit e një biznesi: “Biznes i ndershëm, konkurrencë e ndershme dhe partneritet konkurrues”. Teuta Rino është presidente e Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, anëtare e Bordit të Drejtorisë së Arsimit të Mesëm, si dhe anëtare e Bordit në “Qendrën e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat”.
Gruaja gjermane në biznes
Heidi Ehniss, konsulente e GTZ-së për konferencat e sipërmarrëseve gra, konsulente e lirë në ndërmarrjet e mesme, në vitin 2001 krijoi agjencinë “Lösungsagentur Ehniss”, ku ofron konsulencë, trajnime dhe konceptime për fillimi dhe ngritja e sistemit të menaxhimit të cilësisë në farmaci dhe klinika mjekësore, menaxhimi i proceseve në raste ndryshimesh si dhe konsulencë për punonjësit e rinj, menaxhimi i kongreseve dhe aktiviteteve në të gjithë Evropën. Ehiss, që ka si moto të punës së vet: “Suksesi varet nga çfarë bëjmë dhe jo nga çfarë duam-Go for it”, ka studiuar biznes në industri, ndërsa zotëron përvojë profesionale në organizimin e zyrave, si menaxhere ndërmarrjesh dhe asistente marketingu në firma të ndryshme.
Dr. Sibylle Gruner, zëvendësmenaxhere e përgjithshme e firmës BASF SE në Ludvigshafen, pas studimeve për Kimi në Gjermani, Francë dhe Zvicër, ka promovuar veten në funksione të ndryshme, si kimiste dhe nëpunëse në biznese të ndryshme, që nga “Biotech-Startup”, deri tek ndërmarrjet e mëdha kimike. Është ndër kryesoret në ngritjen e firmës “Wacker Chemie”, në Nanjing. Me aktivitet të pasur në ngritjen e rrjeteve sociale të ndryshme që kur ishte studente, ka pasur funksione të shumta. Sot, është anëtare e kryesisë gjermane të shoqatës EWMD (European Women Management Development Network), një rrjet ndërkombëtar i grave profesionaliste dhe menaxhere.
Lilli Wilken, psikoanaliste, sjell në konferencën “Gruaja në biznes” një përvojë të pasur në organizimin e shoqatave, pasi ka kohë që merret me organizimin dhe drejtimin e seminareve dhe trajnime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar mbi tema të tilla si, familja, ngritja e organizatës, trajnim për menaxherët, zhvillimi i imazhit, gjuha trupore (body language), format e komunikimit kombëtar dhe ndërkombëtar, mënyrat e prezantimit dhe transmetimit. Wilken, gruaja 57-vjeçare, jeton në një fshat të vogël të pasur me vreshtari, në afërsi të Maincit, me 4 fëmijë dhe 2 nipër. Si psikoterapiste, ka në punën e saj ngritjen e sistemit, eneagramën dhe zhvillimin e personalitetit.