E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria të hapë dosjet e vjetra të korrupsionit

Gjatë muajit shtator në drejtim të Shqipërisë kanë mbërritur disa lajme të mira. Së pari, vlerësimi i Bankës Botërore mbi “Doing Business”, së dyti raporti i “Transparency International” dhe së treti, ratifikimi i Protokollit të NATO-s nga Senati amerikan. Nga organizmat më prestigjiozë botërorë vijnë vlerësime shumë pozitive mbi zhvillimin e Shqipërisë, klimën e biznesit, luftën ndaj korrupsionit etj.

Që në krye të herës dua të shprehem që ndihem mjaft i kënaqur si qytetar dhe si përfaqësues i rreth 28 mijë votuesve të zonës sime elektorale, nga këto lajme të mira dhe këto veprime konkrete në funksion të prosperitetit ekonomik dhe politik të vendit tim.

Ky fakt duket që është pritur me optimizëm në fshatra dhe qytete, edhe njerëzit më të thjeshtë me intuitë e kuptojnë se diçka e mirë më së fundi po vjen për Shqipërinë. Por me sa duket nga deklaratat politike, nga përfaqësuesit e opozitës së shkurtër dhe të gjatë, këto vlerësime i shohin të pamerituara. Shqipëria nuk po zhvillohet, rrugët nuk po ndërtohen, shkollat nuk po rindërtohen, ujësjellësit e ri nuk sjellin ujë, duke nxirë gjithçka. Duket sikur flasim për dy vende të ndryshme ose sikur kanë shqisa të ndryshme për të parë të njëjtin vend.

Këto perceptime diametralisht të kundërta të ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve nga njëra anë dhe opozitës nga ana tjetër, është vështirë të kuptohen. Fillimisht bënë përpjekje që vlerësimet pozitive të “Transparency International” t’ia atribuojnë disa punonjësve shqiptarë në këto organizma që monitorojnë Shqipërinë, tentativë mjaft e mjerë.

Asnjë njeri normal nuk mund të mendojë se raportet ndërkombëtare nga të huajt mund të vijnë nga informacioni i pamjaftueshëm dhe vlerësimet e tyre janë joreale. Kjo hipotezë është shumë e guximshme dhe mjaft e dëmshme për ata që e artikulojnë dhe për forcën politike në të cilën aderojnë. Opozita mund të sillet si negativiste për të përfituar politikisht, sipas parimit “shpif, shpif se diçka do mbetet”.

Megjithëse nuk është e moralshme, politikisht kjo qëndron, por është mjaft e vështirë që për gjëra konkrete që shihen me sy nga të gjithë, si rrugë, ura, hidrocentrale, shkolla, t’u mbushë mendjen votuesve se ata nuk ekzistojnë. Qytetarët çdo ditë ecin mbi rrugë të asfaltuara, çdo ditë marrin energji elektrike pa ndërprerje, çdo ditë çojnë fëmijët në shkolla të reja, çdo ditë jetojnë më mirë. Prandaj vetëm ndonjë magji e bërë në momentin e fundit nga hajmalitë apo unazat e zeza që mbartin me vete udhëheqësit e së ardhmes mund të zhbëjë investimet e mëdha që janë realizuar në këtë vend. E vërteta, me sa duket, qëndron tek fakti se opozita nuk e njeh Shqipërinë, përfaqësuesit e saj qëndrojnë në lokalet luksoze të Tiranës duke i mbushur mendjen njëri-tjetrit se Shqipëria po shkon zi e më zi. Madje edhe z. Rama, kur shkon në fshatra, e kalojnë për qark nëpër rrugë të paasfaltuara për të mos parë investimet e kryera nëpër Shqipëri, siç ka ndodhur në zonën time elektorale në komunën e F. Kuqes. Pra, ata i kanë mbushur së pari mendjen vetes dhe pastaj i kanë mbushur mendjen edhe kryetarit të tyre duke e çuar vetëm në disa zona me vështirësi ekonomike se çdo gjë në këtë vend shkon keq dhe se populli mezi pret shpëtimtarët. Qëllimi nuk është shumë i vështirë të kuptohet, një pjesë e ustallarëve socialistë që e kuptojnë mjaft mirë gjendjen pozitive, duan që të sigurojnë një pozicion për veten e tyre dhe pastaj ta fajësojnë atë për humbjen e ardhshme. Së fundi, opozita ka një të drejtë të pamohueshme që nuk beson vlerësimin e “Transparency International” për luftën ndaj korrupsionit sepse asnjë nga “hajdutët” e saj nuk është arrestuar, gjykuar dhe dënuar. Prandaj ata mund të bëjnë be lirisht që lufta ndaj korrupsionit nuk është zhvilluar brenda saj, tek ish-ministrat e saj, ish zv.ministart e saj , ish-guvernatorët e saj, ish-prokurorët e saj. Prandaj i bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të hapë të gjitha dosjet e vjetra dhe të reja, të hetojë dhe dërgojë në bankën e të akuzuarve të gjithë abuzuesit. Gjithashtu, të heqim dorë nga koraca e imunitetit me ligje në qëllim që të barazojmë veten me të gjithë shqiptarët. Në këtë mënyrë do të çlirohemi nga akuzat hipotetike në përgjithësi dhe do t’i krijojmë akses drejtësisë të hetojë çdonjërin që ka abuzuar ose abuzon në rastin flagrant. Ky model i lehtësimit nga pesha e imunitetit mund të sanksionohet me ligj, pastaj edhe për prokurorët, gjykatësit dhe imunitarët e tjerë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›