E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji, më shumë kërkesë llogarie për avokatët

Gjyqet e stërzgjatura për faj të avokatëve kanë detyruar së fundmi edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm për procedimin e atyre përfaqësuesve ligjorë, ndaj të cilëve do të ketë ankesa. Projektligj mbi avokatinë që kaloi dje gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave është një rishikim i ligjit për “Avokatinë” me ndryshimet e propozuara nga grupi i punës që ka hartuar draftin, që synojnë sipas hartuesve të përmirësojnë avokatinë në vend. Disa nga ndryshimet e parashikuara nisin me tarifën e marrjes së licencës, e cila ulet në 100 lekë të reja, ndërkohë që propozohet edhe ngritja e një komisioni për verifikimin dhe procedimin e avokatëve ndaj të cilëve ka ankesa për sjelljen e tyre.

Hartimi

Ky projektligj është hartuar nga një grup pune me ekspertë, me pjesëmarrje nga Misioni Euralius dhe Opdat, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe nga vetë Ministria e Drejtësisë. Grupi i punës, pasi vlerësoi shqetësimet e ngritura nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, shqetësime këto të adresuara nga institucionet e ndryshme shtetërore, qytetarët dhe vetë avokatët, sikundër dhe problematikat e hasura gjatë ushtrimit të kontrolleve të ndryshme në Dhomat e Avokatisë në rrethe, konkludoi në një draft-ligj ndryshues, i cili synon të përmirësojë situatën lidhur me gjithë problematikat e deritanishme. “Pas analizës që iu bë kuadrit rregullator në fuqi për profesionin e avokatit, grupi i punës arriti në konkluzionin që është e nevojshme ndërhyrja veçanërisht për sa i takon lehtësimit të kushteve për të ushtruar profesionin dhe rregullave që lidhen me procedimin disiplinor të avokatit”, - thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Procedimi

Thelbi i ndërhyrjeve në ligj konsiston në rishikimin e rregullave që kanë të bëjnë me procedimin disiplinor të avokatit. Aktualisht me ligjin ekzistues procedimi disiplinor nuk ka funksionuar siç duhet, kjo për shkak të decentralizmit të procedimeve disiplinore në Dhomat e Avokatisë në rrethe. Me ndryshimet e propozuara ky procedim përqendrohet në Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë parashikohet të ngrihet një strukturë e re, e cila do të përfshihet në fazën e procedimit disiplinor. Kjo strukturë e emërtuar “Komisioni i Verifikimit të Ankimit” vepron pranë Dhomës Kombëtare dhe zgjidhet me short nga lista e avokatëve të dhomave. Nga ky komision, për çdo rast depozitimi ankesë/kërkesë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj një avokati të caktuar krijohet Nënkomisioni i Verifikimit të Ankimit, si struktura e posaçme, e cila kryen shqyrtimin paraprak të ankesës/kërkesës dhe sipas rastit, vendos rrëzimin ose kalimin e saj për gjykim në Komitetin Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë sipas rregullimeve në fuqi është organi kompetent për heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit, masë të cilën e merr pas propozimit të komisionit disiplinor të dhomës pranë së cilës është i regjistruar avokati.

Zyrë avokatie edhe nga një avokat i vetëm

Nenet e para të projektligjit parashikojnë ndryshime në kreun IV dhe V të ligjit në fuqi. Këto propozime synojnë të lehtësojnë krijimin e zyrave të avokatisë, tashmë mundësohet themelimi i tyre edhe nga një avokat i vetëm. Ky parashikim iu krijon mundësinë avokatëve ta ushtrojnë profesionin e tyre, sipas mënyrës së organizimit më të favorshme për ta, pa iu nënshtruar barrierave të tilla si ajo e gjetjes së një ortaku. Gjithashtu, propozohet që përcaktimi i tarifës për marrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të avokatit të jetë pjesë e parashikimeve ligjore lidhur me ushtrimin e këtij profesioni, duke ezauruar kështu në ligj të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit shqiptarë, për të ushtruar profesionin e avokatit. Një parashikim i tillë siguron edhe qëndrueshmëri për sa i takon masës së kësaj tarife. Në këtë prizëm, vlen të theksohet gjithashtu edhe një tjetër avantazh që sjell ndryshimi rrënjësor që i është bërë masës së kësaj tarife. Aktualisht, për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit, kandidatët fitues, detyrohen t’i paguajnë Dhomës një tarifë prej 100.000 lekë, ndërkohë që me ndryshimet aktuale propozohet që kjo tarifë të ketë një vlerë simbolike prej 100 lekësh. Ky ndryshim në vlerë monetare synon të shmangë të gjitha pengesat e karakterit ekonomiko-financiar, që mund të kenë kandidatët, duke u siguruar atyre të drejtën për të ushtuar profesionin e avokatit, pavarësisht gjendjes ekonomike.

Ankesat ndaj sjelljeve të avokatëve

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm, i cili synon në rritjen e performancës së avokatëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, lidhet me të drejtën për t’u ankuar ndaj sjelljeve dhe veprimeve të avokatëve. Ky ndryshim konsiston në zgjerimin e rrethit të subjekteve, të cilët mund të depozitojnë një ankesë/kërkesë kundër avokatit, në rastet që ata, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, konstatojnë shkelje të dispozitave të mbrojtura me ligj, nga avokatët. Kjo e drejtë tashmë i rezervohet me ligj edhe organeve drejtuese të dhomave të avokatisë, ministrit të Drejtësisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve apo edhe çdo organi tjetër shtetëror.

Detaj

100 lekë do të jetë tarifa për marrjen e licencës së avokatit, krahasuar me shumën që është aktualisht 100.000 lekë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›