E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji që mbyt krimin dhe korrupsionin

Projektligji” Për kontrollin e shërbimit brendshëm” në MB është një tjetër provë e avancimit të reformave në këtë vit të fundit të këtij mandati qeverisës dhe pa dyshim do t’i shërbejë kësaj mazhorance për të fituar edhe një mandat të dytë. Përpos diskutimeve, debateve në Komisionin e Sigurisë e të Mbrojtjes, kemi pasur dhe mjaft mirëkuptime për çështjet konkrete të projektligjit pozitë-opozitë, që u zhvillua në vijimësi për tri javë, ku ishin të pranishëm edhe Avokati i Popullit, SHISH, Prokuroria e Përgjithshme, mjaft organizata joqeveritare etj. Desha të theksoj se Policia e Shtetit është një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe publikut të gjerë, që i shërben luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, atij ordiner si dhe çdo shkeljeje që bie ndesh me shtetin ligjor. Miratimi i këtij projektligji, siç thuhet edhe në qëllimin e tij, do t’i shërbejë përsosjes së Policisë së Shtetit për të krijuar garancitë e nevojshme për suksesin e përmbushjes së misionit të saj. Kontrolli i instancave zyrtare të ekzekutivit mbi strukturat e Policisë së Shtetit, pavarësisht hierarkisë, gradave të punonjësve të policisë është shprehje e parimit kushtetues të balancimit të kontrolleve ligjore të pushteteve. Shërbimi policor është një shërbim ndaj rendit kushtetues, ndaj shtetit dhe ndaj publikut. Kompetencat e tyre janë shumë të rëndësishme për fatet e demokracisë dhe lirive e të drejtave të qytetarëve. Nga policia nis lufta antikrim, antitrafik, ntikontrabandë, antikorrupsion.

Kjo është arsyeja pse ky projektligj vë norma, rregulla e sanksione kundër çdo shkelësi të ligjit në Policinë e Shtetit.

Pa një polici të pastër e të përkushtuar nuk mund të plotësojmë standardet e detyrimit që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe nga nënshkrimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Policia ka ndryshuar e ndryshon përditë. Kjo, falë një legjislacioni modern të miratuar, efektivitetit të strukturave të reformuara dhe ndihmës së madhe e konkrete, që jep në vijimësi asistenca e huaj. Gjithsesi, ne kemi përvoja të hidhura nga kohët kur policët ose kanë qenë vetë pjesa e krimit ordiner, ose të organizuar, ose ata kanë luajtur rolin e informatorëve e të bashkëpunëtorëve të grupeve kriminale, duke dekonspiruar operacione speciale të përgatitura me mund prej shumë kohësh. Opinioni, qoftë edhe i kufizuar, i njerëzve se policia u krijon lehtësi keqbërëse, kriminelëve apo se është e korruptuar, duhet të marrë fund. Kjo nuk arrihet thjesht vetëm me kodin etik të policisë, por me masa të rrepta ligjore, siç përcaktohen edhe në këtë projektligj që po miratojmë.

Nëse kontrolli i pastërtisë së figurës së policit duhet të jetë i rreptë, atëherë edhe ligji duhet të jetë i rreptë. Opinionet e disa grupeve joqeveritare ose edhe opozitare se po teprohet me kontrollin e brendshëm të ushtruar nga një strukturë e veçantë, është një ankesë apo qarje pa vend. Ky shërbim është konceptuar si një kontroll i brendshëm i plotë në dy aspekte: Së pari, ai synon parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin paraprak të veprimtarive kriminale të kryera vetëm nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Meraku se mos në emër të këtij kontrolli të hapur apo me metoda speciale, bëhen abuzive e për qëllime joligjore zvogëlohet në saj të harmonizimit të zbatimit të një sërë ligjesh të tjera që lidhen me objektin e veprimtarisë kontrolluese të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Duke sanksionuar me ligj faktin që punonjësit që kryejnë këtë kontroll, janë edhe oficerë të Policisë Gjyqësore, e bën të domosdoshme zbatimin krahas këtij ligji organik që po votojmë, edhe të ligjeve të tjera, siç janë ato për Policinë Gjyqësore, për Policinë Kriminale, për prokurorinë dhe të kodit të procedurës penale. ǒka thashë më sipër, sqaron edhe dyshimin se mos ky organ kontrolli bëhet i gjithëpushtetshëm dhe i pakontrollueshëm. Sipas legjislacionit tonë penal e të procedurës për shumicën e veprimtarive që lidhen me hetimin paraprak apo marrjen si i pandehur roli i prokurorëve dhe i gjykatave është i pashmangshëm. Në këtë mënyrë edhe SHKB-ja, megjithëse varet nga MB-ja, nuk mund të jetë krejt i pavarur nga struktura të tjera të sistemit të drejtësisë. Nga ana tjetër, edhe ministri është një organ kontrolli, i cili nga ana e qeverise dhe e Kuvendit është vetë i kontrolluar. Aspekti i dytë i objektit të ligjit lidhet me të drejtën e inspektimit të administratës policore për a i përket zbatimit të ligjshmërisë nga kjo e fundit. Kjo kompetencë lidhet me faktin se sipas ligjit,SHKB-ja,duke qenë sipas nenit 9 të këtij projekti, institucion i administratës publike, si strukturë e veçantë në varësi të ministrit, e gëzon të drejtën e inspektimit ministror. Objekti i veprimtarisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm i parë në vartësi të nenit 3 të projektit, por edhe në frymën e dispozitave të tjera të projektligjit është një kombinim i një veprimtarie policore me veprimtari administrative të kryera nga një organ i vetëm i centralizuar dhe i specializuar. Siç theksova që në hyrje, nisur nga qëllimi, misioni, objekti dhe nevoja e forcimit të shtetit ligjor, por edhe për të harmonizuar me ligjshmërinë e policive të vendeve partnere, me të cilat bashkëpunojmë, ky projektligj ka ardhur në kohë dhe është i domosdoshëm të kthehet në ligj. Ky është një hap përpara në kuadrin e përgjithshëm të reformave të nisura nga qeveria.

*Deputet i PD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›