E Diel, 1 Nëntor 2026

Karabeci: Fitoj titullin dhe kombëtaren, ky sezoni im

Nga ERJON SALIU

Se kemi më frikë Vllazninë në Shkodër. Duhet që të përfitojmë nga momenti jo i mirë që po kalojnë kuqeblutë

Mesfushori i Tiranës, Erando Karabeci, i cili në ndeshjen e javës që shkoi me Flamurtarin në Qemal Stafa fitoi formacionin pas një dëmtimi të gjatë, tashmë është i bindur se skuadra e tij do të marrë fitoren e radhës në Loro Boriçi, në sfidën që do të luhet të shtunën  në orën 16:00. Vetë Erando beson se vrullin e Tiranës nuk mund ta ndalë jo vetëm Vllaznia, por asnjë nga ekipet e superligës.

Tirana e këtij sezoni ështe destinuar për të fituar titullin kampion, pse jo edhe Kupën e Shqipërisë, kështu që Karabeci e quan këtë vitin e tij dhe të Tiranës. Ne po përgatitemi për ndeshjen me Vllazninë dhe unë jam i bindur që do të fitojmë në Shkodër. Këtë nuk e them për tu ulur vlerat shkodranëve, sepse kanë një skuadër me tradita në futbollin shqiptar, por nisur edhe nga forma e mirë që po kalojmë. Kështu që nuk besoj se Vllaznia do ta ndalë dot Tiranën, edhe pse ndeshja do të luhet në Shkodër.

Në aspektin personal shpresoj që të bëj një paraqitje bindëse, sepse kjo periudhë ndërprerje dyjavore më ka shërbyer akoma më mirë për tu riaftësuar plotësisht. Jam i bindur që ky do të jetë sezoni im dhe i Tiranës. Synimi im kryesor mbetet që të fitoj titullin kampion, i vetmi objektiv që nuk e kam shijuar në këtë skuadër, – u shpreh mesfushori i Tiranës, Erando Karabeci.

Optimizmi Në radhët e skuadrës bardheblu, por edhe në syrin e të gjithë lojtarëve, shihet qartë optimizmi në këtë periudhë, edhe pse kampionati sa po vjen e po bëhet më i ashpër. Ky është një moment shumë i mirë dhe fakti që kemi tri fitore radhazi na bën optimistë për vazhdimësinë. Megjithatë, Vllaznia do të jetë si një peshore dhe do të tregojë më së miri forcën reale të Tiranës edhe në transfertë dhe aq më tepër ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në luftën për titull.

Në qoftë se kalojmë me sukses edhe Vllazninë, atëherë konfirmohemi si skuadra më e fortë e kampionatit. Deri më tani kemi fituar në Krujë, të njëjtën gjë duhet që të bëjmë edhe të shtunën në Shkodër.

Kombëtarja Tashmë e pres një ftesë nga trajneri i përfaqësueses. Duke qenë se shumë nga lojtarët kuqezinj do të varin këpucët në gozhë mendoj se do të krijohen hapësira edhe për ne lojtarët e kampionatit shqiptar. Kam tre sezone që luaj titullar me Tiranën, ndaj e pres një ftesë nga stafi i përfaqësueses.

Të gjithë të jenë të bindur se nuk do ti zhgënjej. Tashmë jam në kulmin e karrierës, i aftë që të përballem edhe me sfida akoma më të mëdha në karrierën time, – theksoi në mbyllje të prononcimit të tij mesfushori i bardhebluve, Erando Karabeci.

90 Minuta ka luajtur mesfushori 23-vjeçar Erando Karabeci këtë sezon me bardheblutë, pikërisht një javë më parë në sfidën ndaj kuqezinjve

3 Sezone ka Karabeci që aktivizohet si titullar në skuadrën e Tiranës, me të cilën ka fituar tre trofe, dy superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›