Malota: Dinamos si mbetet rrugë tjetër, veç të fitojë
Sipas mbrojtësit Renato Malota, Dinamo synon vetëm tri pikët përballë Shkumbinit, për të vijuar ngjitjen dhe për të lënë fundin
Dinamovitët vazhdojnë përgatjtet intensive përpara ndeshjes së javës së 5-t ndaj Shkumbinit. Në Qemal Stafa pritet një takim tepër i rivalizuar për vetë objektivat e njëjta që kanë dy ekipet respektive në këtë sezon. Stërvitja e bluve ka nisur në orën 15:30 dhe ka qenë e mbushur me një punë voluminoze. Në fillim blutë kanë punuar në aspektin fizik, më pas loja mes grupit, gjuajtje në portë dhe ushtrime të tjera.
Ndeshja ndaj Shkumbinit vjen në një moment tepër të vështirë, pasi blutë veç 1000 mijë problemeve që po kalojnë në ish-kompleksin e tyre, tashmë kanë marrë edhe një goditje të fortë nga FIFA si pasojë e problemit Dario Bodrusiç. Një nga pikat më të forta të mbrojtjes blu, pikërisht shtatlarti lezhjan Renato Malota, është i bindur për fitoren e Dinamos, pasi, sipas tij, nuk ka rrugë tjetër për ish-kampionët.
Pauza Kemi zhvilluar një stërvitje intensive gjatë kësaj kohe. Shpresoj që të vazhdojmë me këto ritme dhe më pas frytet e saj ti marrim në fushën e blertë. Nuk ka vlerë nëse nuk e konkretizojmë punën tonë me një fitore ndaj Shkumbinit. Siç e dini të gjithë, ne i kemi nisur përgatitjet 3 ditë përpara startit të kampionatit, ndaj dhe kjo pauzë na ka ndihmuar për të rigjetur ritmet sadopak, por ishte e domosdoshme. Jemi koshientë që duhet të kishim zhvilluar një fazë përgatitore, por nuk ishte faji ynë, janë probleme më të thella.
Shkumbini Është një kundërshtar të cilin e vlerësojmë maksimalisht për pozitat aktuale, pasi është një rival drejtpërdrejtë i Dinamos. Gjithashtu, ky ekip jep gjithnjë maksimumin e tij në fushën e blertë, ndaj dhe ne e kemi në konsideratë. Do të mundohemi të arrijmë fitoren. Nuk kemi rrugë tjetër. Për më tepër, saksioni që flitet nga FIFA na e ka shtrënguar akoma më tepër litarin në fyt. Jemi përballë vështirësive dhe vetëm të bashkuar mund tia dalim.
