Mesazhe ngusheshelluese
Valentina Leskaj
“Është e vështirë të bësh komente për këtë tragjedi të madhe. Është një ngjarje që të lë pa gojë, është një ngjarje që të lë pa fjalë, është një dhimbje shumë e madhe, që unë besoj sot se nuk ka të madh dhe të vogël në Shqipëri që nuk e përjeton këtë dhimbje. Shpreh ngushëllimin për të gjithë të afërmit dhe familjarët e viktimave”.
Gramoz Ruçi
“Ngushëllojmë familjet e viktimave. Le të jetë kjo ditë zie një homazh, por edhe një ditë reflektimi për të gjitha viktimat që vijnë nga mungesa e sigurisë në vend”.
Pëllumb Xhufi
“Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim, jemi thellësisht të goditur dhe të trishtuar nga kjo tragjedi që goditi disa familje. Me këtë rast i shprehim ngushëllimet më të thella dhe pjesëmarrjen tonë në dhimbjen e madhe të familjeve Osmani, familjes Hysa, familjes Dibra, familjes Vlamo, shoqes sonë të dashur, Thëllëza Spahiu, e cila humbi jetën bashkë me djalin e saj, Arlindin”.
Genc Pollo
“Kjo është një tragjedi e rëndë, vështirë të themi diçka, por duhet të qëndrojmë pranë familjeve me fjalë të ngrohta e të përzemërta për të ngushëlluar familjarët e viktimave nga kjo ngjarje e rëndë, duke shpresuar t’u lehtësojmë sadopak dhembjen e rëndë, por edhe duke shpresuar që tragjedi të tilla të mos kemi më”.
Fatmir Sejdiu
“Këtë lajm të kobshëm e kemi marrë me pikëllim të thellë të gjithë ne në Kosovë, ndaj Ju lusim, z. President, që t'ua shprehni ngushëllimet tona edhe institucioneve, familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit të Shqipërisë”, - thuhet në mesazhin që presidenti Sejdiu i ka dërguar presidentit Bamir Topi.
Hashim Thaçi
“Me pikëllim morëm vesh lajmin për vdekjen tragjike të 16 qytetarëve të Shqipërisë në aksidentin e ditë së sotme. Dhembjes për humbjen e jetëve njerëzore, që Shqipërinë e bëri të shpallë ditë zie, i bashkohet dhembja e gjithë qytetarëve të Kosovës”, - thuhet në mesazhin që kryeministri i Kosovës i ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.
Menduh Thaçi
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për tragjedinë, ku humbën jetën 16 veta. I nderuari President, në emër të Partisë Demokratike Shqiptare dhe në emrin tim personal, ju dërgoj ngushëllimet më të thella juve, familjeve të të ndjerëve si dhe mbarë popullit shqiptar”, - thuhet në mesazhin ngushëllues që kryetari i PDSH-së së Maqedonisë, Mendug Thaçi, i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Bardhyl Mahmuti
“Duke qenë shpirtërisht me ju në këtë ditë zie, më lejoni zoti President që në emër të anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik Shqiptar t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje tragjike. Në të njëjtën kohë ju lusim që ngushëllimet tona t’ua përcillni familjeve të viktimave”, - thuhet në mesazhin ngushëllues të dërguar nga kryetari i BDSH-së në Maqedoni, Bardhyl Mahmuti.
Lëvizja “MJAFT”
Ne bashkohemi me dhimbjen e familjarëve dhe të të afërmve të viktimave të pafajshme në këtë ngjarje dhe urojme që ata të gjejnë forcat për të përballuar këtë tragjedi. Duke respektuar kujtimin e të ndjerëve, ne u rikujtojmë strukturave përkatëse që të punojnë më shumë për të zbatuar në mënyrë rigoroze masa të rrepta që parandalojnë ngjarje të tilla.
7 Mars 2008