E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëz të “humbur”

Ramazan Sula

Gjatë 17 viteve të vendosjes të rendit post socialist(jo komunist, si përpiqen ta quajnë “disa” socializmin . Komunizmi mbetet një ëndërr tepër e largët për mbarë njerëzimin), Shqipëria humbi shumë. Humbi, ndoshta më shumë se sa humbi në luftën kundër pushtuesve nazifashistë dhe aleatëve të tyre vendës. Humbjet janë të prekshme e lehtësisht të llogaritshme. Humbje në ekonomi, humbje në arsim, humbje në kulturë, humbje në dinjitet. Të gjitha këto humbje mund të rifitohen. Edhe humbjen e dinjitet-it njerëzor mund ta rivendosim.(Deri tani nuk kemi rifituar e as rivendosur as një prej atyre që kemi humbur). Ndërsa njerëzit e humbur fizikisht nuk rikthehen më. Në harkun kohor 17 vjeçar, Shqipëria humbi aq njerëz (dhe vazhdon të humbë ende!), sikur të ishte(të jetë) përfshirë në një luftë ndër shtetërore. Shumica e të humburve që nuk do të rikthehen kurrë më në këtë botë, morën “rrugën” për në botën tjetër, në forma e mënyra të ndryshme. Ca u vranë me njeri tjetrin pasi u ringjall sëmundja famëkeqe e gjak dhe hak marrjes(edhe sot e kësaj dite ka jo pak të ngujuar nëpër kulla për shkak të kësaj sëmundje). Jo pak kanë përfunduar në fundin e Adriatikut apo nëpër telat me gjemba të kufirit tokësor shtetëror, ca mbetën në dëborën e majave të Pindit. Të gjithë këta dhanë frymën e fundit në rrugën e ikjes nga vendi i tyre. E pa imagjinueshme! Rreth një milion e gjysmë shqiptarë morën rrugën e ikjes mbasi u “lanë të lirë” nga regjimi i ri demokratik i deformuar që aktualisht ka një moshë 17 vjeçare. Kulmi i humbjeve njerëzore u shënua në vitin 1997. Shqiptarët(një pjesë e tyre) nisën një betejë të çmendur mes tyre. “Piramidat” nuk pollën as para as mirëqenie. Ata pollën vetëm të pa strehë, kaos e çoroditje masive. Pollën shkatërrimin e shtetit bashkë me strukturat e tij më të rëndësishme, ushtrinë dhe mbrojtjen e rendit. Në vend të tyre lindën banda e banditë. Shqiptarët e pa fajshëm ranë pre e tyre. Vëlla vrasja nisi rrugën e saj tragjike. Në pranverë- verën e atij viti, numri i të vrarëve ishte thjeshtë çështje statistike. (Edhe në Kosovë po vriteshin shqiptarët. Dora që i vriste njihej. Të paktën gjaku i tyre nuk shkoi dëm. Themelet e Pavarësisë të Kosovës e kanë bazën te gjaku i bijve të vet. Ndërsa dora që vrau dhe po vret ende bijtë e Shqipërisë vazhdon të mbetet mister). Flakët e zjarrit të vëlla vrasjes “flakëruan” më përvëluese dhe nuk u shuan për një kohë të gjatë në rrethin më verior të vendit që, herët dhe vonë, ka lindur “burra kuvendi”, në Tropojën e patriotit trim Bajram Curri. (Në ato malësi kreshnikësh me verë fllad freskët, ujë kristal e dimër paqësor, flakët e vëlla vrasjes janë shuar por prushi nën hi vazhdon të jetë në temperaturën e shkrirjes të kromit që mbanë nën vete ajo tokë e zanave)..... Në ata vite të mbrapshtë, Shqipëria humbi(krejt kot dhe për faj të një politike djallëzore e antikombëtare) shumë djem të saj, një pjesë prej të cilëve jo vetëm që nuk kanë varre por nuk u dihet as nami e as nishani.... ......Për këtë kategori të humburish (pa “nam e pa nishan”), kanë nisur e po bëhen përpjekje për të gjetur dhe për të ecur në gjurmët e humbjes. Dhe këto përpjekje nuk po bëhen as nga shteti e as nga organet e tij të specializuara. Ato kanë nisur e po bëhen nga një Televizion që përpiqet të shohë më larg se politika, nga TV “Vizion+”.
Emisioni “Njerëz të humbur” që drejtohet me përkushtim nga gazetarja e dhembshur dhe humane Shtino bashkë me ekipin e saj profesional e simpatik, është bërë shpresë dhe kurajë për ata që presin të dashurit e tyre. Çdo të shtunë në studion e këtij emisioni shohim të derdhen lot... lot nënash, lot baballarësh... lot gëzimi por dhe lot pikëllimi e dhimbjeje të thellë. Do të dëshironim dhe të uronim me gjithë zemër që të derdheshin vetëm lot gëzimi! Gjithsesi, me gjithë përpjekjet e saj, ka një kategori të “humburish” që më kot përpiqet zonja Shtino të kontaktojë me ta. Ata janë të vetë “humbur”. Ky kontingjent përbëhet nga prostituta (të pa dhunuara), nga ata që merren me punë të pista etj. të këtij lloji. Është pikërisht ky kontingjent të(vetë) humburish që jo vetëm kanë humbur dinjitetin e tyre por kanë cenuar jo pak dinjitetin mbarë shqiptar. Në të vetë “humburit” ka dhe individë me “emër”. Ata mund të jenë (vetë) humbur edhe nëpër botë por dhe brenda vendit(!). Të tillë janë, bie fjala, ish kryetari i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Bëmat e tij në “interes” të punëtorëve (“të pavarur”) dhe të demokracisë në vitet e para të ndryshimeve të mëdha, ende nuk janë fshirë nga kujtesa popullore. Grevat e famshme të “urisë” të minatorëve të Valiasit e të disa minierave të tjera të vendit, qenë vendimtare për ardhjen në pushtet të qeverisë të parë “demokratike”. Në të vërtetë ai hyri në historinë e kapitalizmit shqiptar jo si sindikalist por si pionier i “privatizimeve” të objekteve e resurseve të ish Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Kështu pra, ky kryetar(i vetë shpallur) sindikalist i modelit “kapitalist”, i shërbeu po me aq “devocion”fillimeve të sistemit të ri, sa i shërbeu dhe sistemit paraardhës si drejtues i “zgjedhur” i pushtetit diktatorial. Mbas katrahurës të vitit 1997 dhe rënies të qeverisë të cilës i kishte shërbyer besnikërisht ai “humbi”(!?). Humbi për së gjalli pa nam e nishan, kryetari (historik) sindikalist, duke lënë jetim “proletariatin” shqiptar. Edhe sot e kësaj dite ai rezulton i “humbur”. Atë nuk mund ta gjejë kurrsesi emisioni i respektuar i “Vizion +” se pse ai është i vetë “humbur”. Këtë duhet ta kërkojë e ta gjej shteti. Por, me sa duket, atij (më saktë qeverisë aktuale) nuk i hyjnë më në punë, ca më shumë nuk i interesojnë personazhe të (vetë) “humbur” si kryetari sepse kërkimi e gjetja e tyre, mund t’iu prishi terezinë e rehatqeverisjes. Një tjetër emër i (vetë) “humbur” është dhe pasardhësi i tij, kryetari aktual i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, i cili për vite me radhë ka drejtuar sindikatën e minatorëve të Shqipërisë. Ai dukej shpesh në “aktivitetet” e sindikatës të tij të “pa varur” kur PD-ja ishte në opozitë. Mbas ardhjes në pushtet të saj, ai nuk u duk më. Kur në minierën e kromit Bulqizë renditej minatori i pestë që humbte jetën për të siguruar bukën e kalamajve, u shfaq në publik përsëri ai. Nuk u shfaq duke ngushëlluar familjet që humbën të dashurit e tyre e as në krye të ndonjë proteste të sindikatës të “pa varur”. Jo! Pas një kohe të gjatë i “humbur”, ky i fundit ia behu, sikur zbriti nga hapësirat kozmike, drejt e në sallën e kongresit të radhës të sindikatës tij ku paraqiti raportin e “fitoreve madhështore” të kësaj sindikate(!). Në ato dy ditë të kongresit “historik”, ai gëzonte ngjashëm me një të sëmurë neuro psikik, edhe pse “Stambolli po digjej....”. Edhe kur numri i minatorëve që, në mënyrë tragjike, i jepnin lamtumirën kësaj bote (në minierën e kromit Bulqizë ku punojnë skllevërit shqiptar të shek. XXI), arriti në tetë, ai përsëri nuk u duk as kund! Mbase minatorët që u ndanë nga kjo botë(për një copë bukë) nuk ishin të “vetët”(?)... Ndoshta “ishin” të Kolës !?. Gjithsesi, krey i sindikatave rezulton i (vetë) “humbur” Mos e kërkoni! Ai, me siguri do të (vetë) gjendet kur qeveria, të cilës i shërben, do të jetë në opozitë. Lista e të (vetë) “humburve” nuk mbaron me të dytin k/sindikalist të “pa varur”. Në këtë listë renditen dhe politikanë me mandat deputeti. Dhe janë jo pak. Opinioni publik ca më shumë zgjedhësit që i kanë votuar, i njohin. I njohin nga fjalimet e zjarrta që mbanin para tyre kur ishin kandidatë. Dhe, sapo futën në xhep mandatin e shumë dëshiruar, nuk u ndien më, nuk u “dukën” më. U “humb- ën”(!) Të tillë politikanë-deputetë që paraqiten në Kuvendin e “Burrave” vetëm për të nënshkruar borderonë, çdo emër mund t’iu shkojë për shtat por kurrsesi “Burra Shteti” s’mund të jenë. Dhe për çudi, numri më i madh i politikanëve deputetë të (vetë)”humbur” i përkasin opozitës !?. Gjithsesi, ata janë të(vetë) “humbur”. Mos i kërkoni kot sepse nuk i hyjnë askujt më në punë. Jezu Krishti për këtë kategori të “humburish” ka thënë: “Lini të “vdekurit” me të vdekurit!”.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›