Falimentimi i biznesit, procedurat që parashikohen në ligjin e ri
Gjykatat u lënë subjekteve 30 ditë kohë për falimentin. Bizneset me bilance negative prej dy vjetësh shpallen të falimentuar
Ervin Koçi
Mbijetesa për një biznes privat në këto kushte të vështira krize ekonomike do të bëhet edhe më e vështirë pas futjes në fuqi të ligjit të ri të falimentimit. Bizneset që paraqesin bilance negative pranë Tatimeve për dy vjet radhazi do të kenë tashmë një procedurë të shpejtë falimentimi. Qeveria dhe Komisioni Parlamentar i Ligjeve kanë miratuar tashmë ndryshimet në ligjin “Për falimentin” në të cilat parashikohet që të ketë një procedurë të shpejtë falimentimi për bizneset që vlerësohen nga ana e Tatimeve me bilance negative. Sipas draftit të miratuar nga ana e qeverisë, gjykata që merr në shqyrtim një çështje falimentimi duhet të dalë me një vendim të formës së prerë brenda 30 ditëve. Projektligji parashikon se "Shqyrtimi i çështjeve duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës në sekretarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, seksioni tregtar. Ndërsa pas mbarimit të këtij afati, "Gjykata e Apelit e shqyrton çështjen brenda 30 ditëve nga paraqitja e ankimit në Gjykatën e Faktit". Në këtë draft parashikohen edhe rastet për të cilat fillohet një procedurë falimentimi. Bizneset, për të cilat fillohet një procedurë falimentimi, duhet të mos kenë kryer asnjë veprimtari tregtare qysh prej dy vitesh nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji. Njëkohësisht kalojnë në procedura falimentimi të gjithë ato sipërmarrje që kalojnë në status pasiv nga QKR-ja, me përjashtim të rastit kur subjekti ka kërkuar pezullimin e veprimtarisë, sipas ligjeve të veçanta. Në kategoritë e bizneseve që kalojnë për vendim të gjykatës si të falimentuara, sipas ligjit të ri përfshihen edhe ato që nuk kanë kryer pagesa taksash që prej dy vjetësh.
Procedurat e falimentimit
Procedurat që saktësojnë mënyrën e shpalljes së falimentimit për një subjekt biznesi janë dhe ndryshimet më kryesore të pasqyruara në ligjin e ri. Ministria e Financave ose autoriteti shtetëror i ngarkuar prej saj fillojnë procedurën e falimentimit për shoqëritë tregtare që: a) nuk kanë kryer asnjë aktivitet tregtar qysh prej dy vitesh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji; b) që kalojnë në status pasiv nga QKR-ja; c) që kanë paaftësi paguese prej një periudhe 2-vjeçare. Mosfillimi i procedurës së falimentimit nga organi i ngarkuar nga ministri i Financës ndaj subjekteve tregtare që janë në gjendje falimentimi, brenda një afati 6-mujor nga dita e konstatimit të kësaj gjendjeje, përbën shkelje disiplinore. Ministri i Financave urdhëron për këtë fillimin e procedimit disiplinor ndaj punonjësve tatimorë, të cilët, pa asnjë shkak të ligjshëm, nuk fillojnë procedurën e falimentimit ndaj subjekteve tregtare që janë në gjendje falimentimi.
Vështirësitë në biznes
Sipas statistikave zyrtare shqiptare dhe atyre të Bankës Botërore, nuk njihet as për efekte statistikore asnjë procedurë falimentimi që të jetë zhvilluar sipas këtij ligji, gjatë këtyre 17 viteve. Një fakt i tillë ka qenë një nga arsyet që në Raportin e vitit 2007 të Bankës Botërore "Të bërit Biznes", Shqipëria renditet në vendin e fundit. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, falimentimi mbetet një nga proceset më të vështira ku biznesi has edhe vështirësitë më të mëdha. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, që ka bërë të ditur se, "në vend vazhdon të mungojë një proces i rëndësishëm, që është i shëndetshëm për ekonominë, falimentimi i biznesit”. Sipas Rulit, shkëmbimi “mall me mall” i një sërë biznesesh fsheh në realitet disa kompani brenda këtyre transaksioneve, që në të vërtetë kanë falimentuar. Kreu i Ekonomisë ka sqaruar se duhet të jenë palët e treta, bankat dhe organet tatimore, që të kërkojnë të parët, në mënyrë që për këto kompani të nisë një proces falimentimi. Një kërkesë e tillë duhet të jetë mëse ligjore, pasi në këtë mënyrë një pjesë e borxheve të këtyre bizneseve do të mund të kthehet.
Skemë//////////////////////////////
Kushtet e falimentimit
Subjektet shpallen si të falimentuar kur:
a) nuk kanë kryer asnjë veprimtari tregtare që prej dy vitesh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
b) kalojnë në status pasiv nga QKR-ja, me përjashtim të rastit kur subjekti ka kërkuar pezullimin e veprimtarisë, sipas ligjeve të veçanta;
c) kanë paaftësi pagese prej një periudhe 2-vjeçare.
Të tjera////////////////////////////
Biznesi kundërshton procedurat e reja tatimore
Sipërmarrja ka vazhduar "duelin" me qeverinë për një nga ligjet më të kontestuara të miratuara nga Ekzekutivi gjatë vitit 2007. I etiketuar si ligji i gjobave nga ana e biznesit, drafti parashikon që sipërmarrja të paguajë, veç detyrimeve të nxjerra nga ana e tatimorëve, edhe 15 për qind të gjobave apriori, që në momentin e parë të konstatimit të një detyrimi. Sipas përfaqësuesve të biznesit, një ligj i tillë vlerësohet si shkatërrimtar për efektet që ai sjell tek aktiviteti privat. Me anë të këtij ligji, bëjnë të ditur përfaqësues të sipërmarrjes, lihet në dorë të një taksidari fati i biznesit. Sipërmarrja detyrohet që të paguajë jo vetëm detyrimet e nxjerra në një moment të caktuar kohe nga vlerësimet tatimore, por edhe gjobat dhe interesat. Antikushtetutshmëria e Nenit 43 të ligjit "Për Procedurat Tatimore" është deklaruar edhe nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Presidenti nuk e dekretoi këtë ligj, duke vlerësuar se ky rregullim i nenit të ligjit për gjobat bie ndesh me disa dispozita kushtetuese, konkretisht me Nenin 11, që lidhet me parimin se sistemi ekonomik në Republikën e Shqipërisë bazohet në ekonominë e tregut dhe se prona private mbrohet njëlloj me ligj; me Nenin 42, që ka të bëjë me garantimin për të mos cenuar liritë dhe të drejtat e njohura në Kushtetutë, pa një proces të rregullt ligjor dhe; së fundi, me Nenin 81, i cili përcakton ligjet, miratimi i të cilëve kërkon një shumicë të cilësuar. Sipas shpjegimit të ish-kreut të shtetit, gjatë diskutimit të këtij ligji dhe procesit të dekretimit, ligji shkel gjithashtu rregullat e ekonomisë së tregut. Parapagimi i gjobës do ta vinte subjektin tatimor në vështirësi ekonomike, pasi në varësi të masës së gjobës dhe të fuqisë ekonomike pagimi paraprak i gjobës mund të ndikojë drejtpërdrejt dhe në vetë ekzistencën e subjektit tatimor. Njëkohësisht, ky ndryshim bën që të krijohet konflikt midis ligjeve, aq më tepër ndërmjet një ligji që miratohet me votë të cilësuar dhe një ligji që miratohet me shumicë të thjeshtë, - shpjegonte në dekretin e ri Moisiu.
Procedurat tatimore, ja gjobat që paguan biznesi
1. Mosrespektimi i detyrimit për regjistrim apo detyrimit për përditësimin e të dhënave dënohet me gjobë të barabartë me 25.000 lekë për çdo shkelje.
2. Tatimpaguesi, i cili nuk lëshon deklaratën tatimore në afat, dënohet me gjobë të barabartë me 10.000 lekë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar.
3. Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo kontributit, gjobë të barabartë me 5% të shumës së detyrimit të papaguar. Në asnjë rast shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10.000 lekë dhe më e madhe se 25% e detyrimit të parapaguar.
4. Plotësimi i pasaktë i deklaratës tatimore dënohet me një gjobë të barabartë me 5% të shumës së detyrimit të papaguar apo rimbursimit të kërkuar më tepër. Në asnjë rast shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10.000 lekë dhe më e madhe se 25% e detyrimit të papaguar.
5. Evazioni fiskal dënohet me gjobë të barabartë me 100% të diferencës së shumës së përllogaritur nga ajo që duhet të ishte llogaritur në fakt.
6. Mosmbajtja e saktë e librave, regjistrave dhe dokumentacionit dënohet me gjobë të barabartë me 10.000 lekë për çdo shkelje në rastet kur është klasifikuar si biznes i vogël dhe në rastet kur është klasifikuar si lloj tjetër biznesi duhet të paguajë gjobë të barabartë me 50.000 lekë për çdo shkelje.
7. Mosdeklarimi i të punësuarve dënohet me gjobë 10000-20000 lekë për çdo shkelje.
8. Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi 300000 lekë dënohen me gjobë në masën 10% të vlerës së secilit transaksion.
9. Konfiskohet e gjithë sasia e mallit që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej kur është e pashoqëruar me dokumente tatimore.
10. Tatimpaguesi dënohet me gjobë nga 20000 deri në 100000 lekë nëse nuk instalon dhe përdor pajisjen fiskale.
11. Moslëshimi i faturës tatimore apo faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100% të detyrimit tatimor të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës.
12. Mosmarrja e kuponit tatimor nga blerësi dënohet me gjobë të barabartë me 1000 lekë.
13. Mosdhënia e informacionit të kërkuar nga administrata tatimore dënohet me gjobë 10000-50000 lekë për çdo shkelje.
14. Pengimi i kontrollit ose hetimit tatimor dënohet me një gjobë nga 100.000 për biznesin e vogël dhe 1000000 lekë për bizneset e tjera.
15. Lëshimi i faturës së pasaktë dënohet me gjobë të barabartë me 50% të shumës së efektit në ulje të detyrimit tatimor.
16. Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë të barabartë me 35000 lekë.
17. Mosafishimi i çmimeve të shitjes dënohet me gjobë të barabartë me 35000 lekë për tatimpaguesit e klasifikuar si biznes i vogël dhe 65000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.
7 Mars 2008