E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëmbrojtja me faqe letrash, ose azili i Dyshes Rama-Blushi

12-11-2011 / Nga Lavdrim Lita

Një farë suksesi, panairi i librit në Tiranë po e ka sidomos për gjuetinë që sytë po shigjetojnë titujt e nën-titujt sesa në shitjen e tyre, pavarësisht buletineve kilometrike-mediatike. Statistikat flasin qartë për një vitrinë dingas me “kaviar” kopertinash të ndryshme dhe me lexues anormalë që kullufisin tituj e nëntituj, nganjëherë i shfletojnë përciptazi si për të prekur nëse ka mjaltë apo qelb në mollaqet e bardha. Dy ditët e para të panairit po mësyhen prej nxënësish shkollash, që në pamundësi për ekskursione nëpër qytete, i krijojnë vetes ekskursione letrare. Përgjithësisht njerëzit nuk blejnë, shohin, ngazëllehen dhe largohen me një abis dëshirash të reja. Nuk lexojnë për të vetmen arsye se duan të shkruajnë edhe ata një libër. Kjo vjen jo se shqiptarët nuk lexojnë, por sepse zallamahia e panairit është si një treg industrial gjigant që përpin çdo vit në të gjithë botën çerekun e pemëve të amazonës, pemë që nga brumi i tyre nxjerrin letrën mbi të cilën njeriu nxin me afsh paditurinë kolosale.
Përpos hyrjes në panairin e trishtimeve, një libër më bëri përshtypje mbi të tjerët, ishte romani i Erik Ambler “Një histori e pisët”, në të cilin, njëri personazh, Artur Abdel Simpson, rrëfen se mban mend këshillat që i Ati i kishte thënë kur ishte fëmijë. Njëri prej mësimeve të para ishte “mos thuaj kurrë një gënjeshtër, kur mund t’ia hedhësh me ndonjë budallallëk, gjepur apo me një dëngël”. Sot e nënvlerësojmë shumë fuqinë që kanë “dënglat”. Ato po prodhohen me shumicë nga publiciteti maniakal dhe sidomos nga politika metafizike, e cila nga ana e vet po majmet nga reklama, por edhe për shkak të një paradigme opozite dhe një strategjie tymi. Mbi këtë temë, një profesor filozofie i Universitetit Princeton në SHBA, Harry Gordon Frankfurt, ka shkruar një libërth interesant. Në “bullshit”-in e tij, që shqip mund të përkthehet si “gjepura apo ndyrësi”, sqarohet se “esenca e gjepurave (bullshit) nuk është se ato janë të gabuara a false, por se janë finte, d.m.th se janë kinse ashtu, pra bëjnë sikur janë të tilla”. Politika jonë është me plot me të tilla, por aty do vijmë pak më vonë.
Kuptohet vetiu se përveç shtëpive botuese që zbarkojnë me inventarin përrallor e bombastik të titujve, ka dhe shumë shkrimtarë që firmosin frontespicet e predikimeve të tyre. Midis atyre që ranë në sy për interes të gazetarëve ishin patjetër Edi Rama dhe Ben Blushi, këta dy politikanë që për çudinë e të gjithëve në panair janë më seriozë me librat sesa me vetveten a me politikëbërjen. Me librin “Kurban”, Edi Rama me një gjuhë kulloshtër tenton të rishkruajë biografinë e 11 viteve të fundit. Një libër i mbushur plot thash e them, dialogje të rrejshme. Pa ndonjë ditar personal, veçse me kujtesë lokale, rrëfimi i marrëdhënieve të tij me politikën dhe njerëzit e politikës është një stërmundim provincial. Tjetri. Ben Blushi ishte një çun me ambicie shumë të mëdha politike dhe ngjante i zgjuar, por dështimi përballë Edi Ramës e ka dëshpëruar shumë dhe e ka bërë edhe me cinik. “Shqipëria”, sipas tre faqeve të para është pa Zot qiellor, por sipas rrethanave sundohet nga njerëz që kërkojnë të jetë Zota tokësorë.
Letërsia për Blushin është si marrja e vitit sabatik, pushim total nga puna, në qoftë se mund të quhet punë bërja politikë. Izolimi nga shfaqja e Pushtetit politik, pas avullimit të tij si profil alternativë i Ramës, e ka detyruar të dalë në kërkim të plotësimit të unit me zotat e Shqipërisë. Ndërkaq si gjithmonë në karrierën e tij politike, punët e rëndësishme i ka lënë përgjysmë, në një amulli asfiksues, sepse ngjan i paracaktuar të jetë një njeri i paplotësuar në fatin e vet. Me pak fjalë, një njeri që ka patur një inventar të pasur në poste drejtuese e që nuk ka lënë asnjë shenjë në punët e tij, afërmendsh kjo do të thotë shumë për personalitetin si drejtues të këtij politikani. Të paktën si shkrimtar lundron në limane të sigurta, pa marrë ndonjë rrezik cilësie në kurriz.
Njëherë e një kohë Blushi kishte shumë borxhe ndaj vetes, sot ka edhe ndaj atyre që kishin besuar se me kimerën LMN, ai përfaqësonte një politikë më serioze e që do ta nxirrte PS-në nga bataku ku e ka futur sutaku i Edi Ramës. Pra, borxhin që Blushi ia kishte vetes e ktheu në një borxh të madh që ai tashmë u ka shqiptarëve dhe veçanërisht socialistëve që shpenzuan kohën me “gjepurat” e një lëvizjeje që s’po prodhon veprim ndryshe. Mirëpo këto borxhe jo vetëm që nuk lahen nga fajdexhiu, por pastrohen nëpër panairet e librave me një riciklim soft, intelektual e të shëndoshë, kur duhet të luftojë kundër fundosjes së PS në llagëme anti-ligjore. Ndërsa si politikan është në paradhomën e liderit, si shkrimtar është kloni shqiptar i Dan Broun-it. Shkruan një fiction komercial, pa puls, pa asnjë vlerë universale brenda saj. Siç ngjan, shkruan thjesht për vetëmbrojtje

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›