Karaburun, bllokohen 150 kg hashash, sekuestrohet gomonia
Operacioni “Det i pastër”, kundër trafikut klandestin e drogave
Hashashi kishte destinacion Italinë, arratisen pronarët
Bllokohen 150 kg hashash, sekuestrohet gomonia me të cilën parashikohej të bëhej transporti drejt brigjeve italiane. Gjithçka është bërë e mundur falë operacionit të policisë të koduar “Deti i pastër”, i cili ka bllokuar një gome ku gjendeshin dhe 150 kilogramë kanabis sativa. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë së Vlorës, që kanë bërë dhe bllokimin e gomones me lëndë narkotike. Policia është duke hetuar në lidhje me pronarin e mjetit lundrues, por deri tani nuk ka një emër, pasi në momentin që janë konstatuar uniformat e policisë, transportuesit janë arratisur. Gomonia është parë diktuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në hapësirën detare në jugperëndim të gadishullit të Karaburunit. Në vendin ku ndodhej mjeti lundrues, shkuan forcat e policisë duke sekuestruar dhe mallin që gjendej. Pas peshimit lënda narkotike ishte 1.5 kuintal. Sipas policisë, gomonia është e gjatë 5.2 metra. Ajo u diktua nga Policia Kufitare e cila, e mbështetur dhe nga forcat e Repartit Antitrafik, u vu në ndjekje të saj, për ta bllokuar pas një operacioni që zgjati më shumë se një orë. Bllokimi u bë vetëm pak orë pas një operacioni të nisur në bashkëpunim mes forcave të policisë, të koduar me emrin “Deti i pastër”, që synon kontrollin e mjeteve lundruese për të shmangur trafikun njerëzor, por edhe atë të narkotikëve.
Operacioni
Operacioni “Det i pastër” ka nisur nga Policia e Shtetit, duke aktivizuar drejtoritë rajonale policore të të gjitha qarqeve kufitare si dhe forcat e RENEA-s dhe FNSH-së. Burime zyrtare policore bënë të ditur se operacioni i nisur dje në orët e para të mëngjesit ka si synim shmangien e trafikut të klandestinëve. Policia ka konstatuar kohët e fundit se kemi të bëjmë me një fluks të madh qytetarësh shqiptarë si dhe nga viset përtej kufirit, të cilët kapen në vendkalime kufitare si emigrantë të paligjshëm. Sipas burimeve, numri jo më pak se 50 vetë që riatdhesohen çdo ditë, kryesisht nga Durrësi, Vlora, Kakavija, Kapshtica etj., ka detyruar policinë që të marrë masa për të frenuar rizgjimin e vrullshëm të trafikut klandestin. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se ditët në vijim do të publikojnë rezultatet e operacionit të nisur dje në orët e para të mëngjesit.