E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme kërkon ndjekje penale për 2 prokurorë



Deklarimi: Tentuan me telefon të shkaktojnë skandal ndërkombëtar. Ndalimi i Fazlliçit nga dy prokurorët, duke përdorur Policinë e Shtetit

Për dy prokurorë do të kërkohet ndjekje penale, pasi tentuan të përdorin policinë për të ndaluar një qytetar të lirë të huaj, siç është Damir Fazlliç. Madje, ndalesa e tij u kërkua të bëhej nga shefi i komisariatit të Rinasit nëpërmjet telefonit nga dy prokurorët. Një fakt i tillë u bë publik dje përmes një deklarate zyrtare për shtyp të Ministrisë së Brendshme, e cila kërkoi dje publikisht ndjekje penale për dy prokurorët që kërkuan ndalimin e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Ministria e Brendshme ka reaguar ashpër ndaj prokurorëve që kërkuan nëpërmjet një telefonate ndalimin e Damir Fazlliçit. Sipas Ministrisë së Brendshme, dy prokurorët kanë shkelur ligjet e Kushtetutës. “Informojmë opinionin publik se në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit dhe konkretisht të nenit 32 pika 1, në shkelje të Kodit të Procedurës Penale, neni 308 dhe shkelje të Ligjit për të Huajt nr. 9959, datë 17. 7. 2008, dy prokurorë, njëri i Prokurorisë së Përgjithshme dhe tjetri zv.prokuror i rrethit të Tiranës kanë telefonuar në orën 15:17 shefin e komisariatit të Rinasit e më pas dhe drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit të Qarkut Tiranë, duke kërkuar ndalimin e udhëtimit dhe shoqërimin në ambientet e policisë të biznesmenit me shtetësi britanike dhe boshnjake Damir Fazlliç, në një kohë kur Fazlliçi ishte larguar nga Shqipëria në orën 15:04”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Më tej, në deklaratë thuhet se kjo ministri aktualisht ka nisur një hetim të plotë për të vendosur para përgjegjësisë prokurorët që nëpërmjet telefonit kërkuan të ndalonin shtetasin e huaj Damir Fazlliç. “Kjo ministri do të kërkojë ndjekjen penale të dy prokurorëve që i kanë lejuar vetes një akt të tillë në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, shkelje të hapur të Kodit të Procedurës Penale që përcakton qartë se kur një person shoqërohet, dhe shkelje të hapur të “Ligjit për të huajt”, - thuhet në deklaratë, ndërsa nuk saktësohet se për cilët prokurorë bëhet fjalë, përveç faktit që njëri është zv.prokuror në prokurorinë e Tiranës dhe tjetri në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas reagimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme, urdhri që u lëshua nga këta dy prokurorë, është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit. Madje, sipas këtij njoftimi, Ministria e Brendshme ka akuzuar prokurorët se kanë synuar të përdorin policinë për krijimin e një skandali të madh ndërkombëtar me shtetasin e huaj Damir Fazlliç.

Deklarata e plotë

“Ministria e Brendshme kërkon të sqarojë opinionin publik, lidhur me dezinformimin e mediave për qëndrimin e policisë së shtetit më datë 08. 10. 2008 ndaj kërkesës së prokurorisë për shtetasin Damir Fazlliç. Së pari, konfirmojmë se Policia e Shtetit është e angazhuar të zbatojë me vendosmëri ligjin dhe vetëm ligjin, jashtë çdo nuance politike. Ligjet e vendit dhe ai i Policisë së Shtetit, ndalojnë rreptësisht zbatimin e urdhrave që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit. Në rastin konkret informojmë opinionin publik se në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit dhe konkretisht të nenit 32 pika 1, në shkelje të Kodit të Procedurës Penale, neni 308 dhe shkelje të Ligjit për të huajt nr. 9959, datë 17. 7. 2008, dy prokurorë, njëri i Prokurorisë së Përgjithshme dhe tjetri zv.prokuror i rrethit të Tiranës kanë telefonuar në orën 15:17 shefin e komisariatit të Rinasit e më pas dhe drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit të Qarkut Tiranë, duke kërkuar ndalimin e udhëtimit dhe shoqërimin në ambientet e policisë të biznesmenit me shtetësi britanike dhe boshnjake Damir Fazlliç, në një kohë kur z. Fazlliç ishte larguar nga Shqipëria në orën 15:04. Ministria e Brendshme i konsideron arkaizma të së shkuarës së hidhur të këtij vendi urdhrat me telefon të prokurorëve të çdo lloj niveli që ata përfaqësojnë për të ndaluar dhe penguar një qytetar të lirë. Policia e Shtetit, në çdo rast dhe çdo rrethanë, do të zbatojë vetëm urdhrat me shkrim që nuk bien në kundërshtim me Kushtetutën e këtij vendi. Në rastin konkret, nga ana e prokurorëve përkatës është synuar përdorimi i policisë për krijimin e një skandali të madh ndërkombëtar me këtë shtetas të huaj. Gjithashtu, sqarojmë këtu se Ministria e Brendshme ka nisur një hetim të plotë për të vendosur para përgjegjësisë ata që mendojnë se mund të ndalojnë me telefon qytetarët e huaj në këtë vend. Kjo ministri do të kërkojë ndjekjen penale të dy prokurorëve që i kanë lejuar vetes një akt të tillë në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, shkelje të hapur të Kodit të Procedurës Penale që përcakton qartë se kur një person shoqërohet, dhe shkelje të hapur të “Ligjit për të huajt”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›