E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kërkuari ; Shefat e policisë, takim për ekstradimin e Bashkim Drizës

Shefat e policisë shqiptare kanë zhvilluar një takim me kryetarin e policisë së Uruguait, ku kanë diskutuar detajet e ekstradimit të ish-presidentit të firmës piramidale “Populli”, Bashkim Driza. Temë kryesore e këtij takimi ka qenë transferimi i një prej njerëzve më të kërkuar shqiptarë në vend për të vuajtur dënimin. Bashkim Driza u arrestua në datën 22 shtator të këtij viti në shtetin amerikano-latin.

Autoritetet policore të shtetit të Uruguait bënë të mundur arrestimin e 50-vjeçarit, pas kërkesës së bërë nga Interpol-Tirana. Sipas vendimit të gjykatës shqiptare, shtetasi Bashkim Driza, gjatë viteve 1996-1997, në bashkëpunim me persona të tjerë ka krijuar fondacionin “Populli”, dhe përmes kësaj veprimtarie ai ka mashtruar 304 mijë e 240 shtetas, me shumën 870 milionë lekë.

Sipas Policisë së Shtetit, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të këtij shtetasi është mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon-Kili, Interpol Montevideon-Uruguai dhe Interpol Santo Domingon-Republika Domenikane, pasi shtetasi Driza njihej nga ana e tyre. Nga informacionet që ata i kanë dërguar here pas here Interpol-Tiranës, mësohet se Driza ishte i pajisur me pasaportë uruguaiane dhe dominikane, si dhe kishte lëvizur nga Uruguai dhe Kili për në Republikën Domenikane dhe anasjelltas. Procedurat për ekstradimin e Drizës kanë disa javë që kanë filluar.

Takimi i djeshëm ishte pikërisht për të përcaktuar detajet e fundit në lidhje me këtë çështje, për të sjellë themeluesin e firmës piramidale “Populli”, që mashtroi para 11 vjetësh mijëra shtetas shqiptarë, që të vuajë dënimin në burgjet shqiptare.

Asambleja

Në Asamblenë e 77-të të Interpolit, delegacioni shqiptar ka diskutuar për çështje të ndryshme, që do të ndihmojnë dhe fuqizojnë edhe më këtë bashkëpunim. Kryefjala e takimeve të shumta në Shën Pjetërsburg të Rusia ka qenë përkrahja dhe bashkëpunimi i pandërprerë për asgjësimin e lidhjeve kriminale të krimit transnacional dhe ndërkombëtar. Delegacioni shqiptar kryesohej nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe pjesë e tij ishin drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe shefi i Zyrës së Interpol-Tiranës, Pëllumb Seferi.

Takimet

Zëvendësministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë kanë zhvilluar takime intensive me homologët e tyre, duke synuar intensifikimin e marrëdhënieve, shkëmbimin e informacionit në mënyrë sa më të shpejtë, reagimin e menjëhershëm e pa hezitim në rrafshin operacional ndaj kërkesave reciproke.

Në takimet e zhvilluara me krerët e delegacioneve dhe drejtuesit e policive të SHBA-së, Italisë, Greqisë, Turqisë, Uruguait, Afrikës së Jugut e vendeve të tjera, u vlerësua me nota maksimale bashkëpunimi gjatë tri viteve të fundit, ku operacionet e përbashkëta të zhvilluara në çdo anë të globit janë rritur pakrahasimisht në numër, dhe me një koeficient suksesi 100%. Duke konsideruar si strategjik bashkëpunimin dypalësh, në takimet e veçanta të zhvilluara me Drejtorin e Policisë Italiane, z. Manganeli dhe atë të Interpolit të SHBA-së, z. Martin Renkiewicz, u theksua fakti se sukseset e policisë shqiptare janë impresionuese dhe veçanërisht të admirueshme për nga cilësia, profesionalizmi dhe eficenca me të cilën janë përmbyllur operacionet dypalëshe e shumëpalëshe.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›