Majë ullirit
Rasti i fundit i talljes abuzive me konceptin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, ishte premtimi për 20 milionë rrënjë ullinj të mbjellë në mandatin e ardhshëm qeverisës. Kësaj radhe, Kryeministri vendosi që ta bëjë vendin tonë një “superfuqi të vogël vaji”, menjëherë pasi arriti të realizojë ëndrrën e tij bërthamore. Ashtu si çdo kryetar i madh që do të hyjë në histori, ai zgjodhi ullirin si të preferuar, në vend të patates historike.
Ndërkohë që direktiva është dhënë, ministria e linjës është ngarkuar që brenda muajit janar të ngrejë ekipin që do të justifikojë dashurinë dhe pasionin ekonomik që gjeti Kryeministri te kjo pemë fisnike, pasaportë e përjetësisë së tij. Është afërmendsh që qeveria nuk mund të paraqesë asnjë studim shkencor prej 2 fletësh, mbi të cilin është mbështetur kur ka bërë premtimin e saj bombastik të radhës.
Sot kemi gjithsej 4.7 milionë rrënjë ullinj, në një sipërfaqe prej 45 mijë ha nëpër gjithë Shqipërinë. Mjaftojnë njohuri bazë të matematikës për të parë që, duke gjykuar nga sasia dhe sipërfaqja e mbjellë me ullinj deri më sot që nga koha e Skënderbeut, nesër duhet që kjo sipërfaqe të rritet me 200 mijë hektarë më shumë. Ndërkohë, në vendin tonë ka vetëm 239 mijë hektarë tokë kodrinore, në të cilën mund të kultivohet ulliri; dhe në këtë shifër përfshihen dhe zonat që nuk e kanë parë ndonjëherë ullirin me sy, që nga Tropoja, deri në Korçë.
Për të realizuar ëndrrën fisnike të Kryeministrit, fizikisht nuk ka tokë, pa marrë parasysh mundësitë ligjore, teknike, financiare, trendin rajonal të kësaj industrie, marketingun, etj.
Për të përmbushur ëndrrën e Kryeministrit, duhen shkulur të gjitha pemët e tjera frutore që janë mbjellë nëpër kodra, duhen shkulur dhe gjysma e ullinjve ekzistues, duhen shkulur të gjitha shtëpitë e ndërtuara rishtas në proces legalizimi nga ALUIZNI, ashtu si dhe u duhet marrë me zor aprovimi i atyre që nuk janë dakord që të mbjellin ullinjtë e Kryeministrit në oborrin e tyre.
Reforma e ullirit mund të realizohet vetëm si një reformë agraro-ushtarake, pa asnjë sens ekonomik dhe social. Nëse për këtë qeveri është e rëndësishme që me çdo mënyrë të mbajë çfarëdo lloj premtimi absurd, atëherë mirëqenia e shqiptarëve nuk do jetë kurrë prioritet. Ajo nuk e ka idenë se çfarë rruge duhet të ndjekë që të gjejë tregun apo dhe format për të mbrojtur fermerët, në rast se nis këtë projekt të marrë.
Është formë e njohur e kësaj qeverisjeje që të caktojë prioritetet në tavolinë; dhe vetëm pastaj të kryejë me radhë studimet mbi fizibilitetin, mundësitë financiare, ligjore, teknike, tregtare, etj. Javën e kaluar, Ministria e Bujqësisë nga Vlora, deklaroi me pompozitet se deri në janar do të ngrinte grupin punës për t’u marrë me zbatimin e strategjisë. Do ishte normale që deklarata e qeverisë të vinte pasi të ishte mbledhur grupi, të ishte kryer studimi, të ishin analizuar mundësitë dhe pastaj të ishte arritur konkluzioni.
Mënyra se si të gjitha këto politika të qeverisë kryhen, dëshmojnë për mungesën e seriozitetit për të ndryshuar gjendjen e bujqësisë dhe ekonomisë në vend. Është humbje kohe dhe fyerje ndaj njerëzve që jetojnë në fshat, për të marrë dhe analizuar në mënyrë profesionale ato veprime dhe sjellje, që janë produkt i demagogjisë, paaftësisë dhe militantizmit politik, në prag të një viti elektoral.
Qeveria, në mënyrë të përsëritur fyen dhe denigron qytetarët e këtij shteti kur ndërmerr hapa të tillë në ekonomi, duke folur si e ëma e Zeqos, kësaj radhe majë ullirit. Populizmi i dëmshëm i Kryeministrit i ka sjellë shumë andralla dhe vuajtje vendit tonë gjatë gjithë këtyre viteve të një tranzicioni pa fund. Zgjidhjet për bujqësinë, zhvillimin rural dhe ekonominë, do të dalin vetëm kur procesi i propozimit të zgjidhjeve të jetë shkencor, serioz dhe realist në pretendimet e tij. Zgjidhjet për një jetë më të mirë në Shqipëri, do të dalin vetëm atëherë kur në krye të politikave të jetë një vullnet tjetër; një vullnet i ri.